3 vjet burg për Hysni Hoxhën, ish-kreun e OSHP’së që u korruptua në detyrë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-kryetarit të Organit shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha, për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Hoxha u dënua me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

Të njëjtit i’u ndalua edhe ushtrimi i profesionit për 3 vite me rradhë
Ish-kryetari i OSHP-së Hoxha, në seancat e kaluara i kishte mbrojtur vendimet e OSHP-së, ku ai kishte qenë kryetar, duke thënë se Ligji i Prokurimit Publik lejonte devijime të vogla nga operatorët ekonomik. Mirëpo në rastin konkret, operatori ankues NTSH “Electra” kishe pasur devijime të mëdha dhe nuk i kishte plotësuar kërkesat e Autoritetit Kontraktues.

Madje, Hoxha në seancën e fjalës përfundimtare të mbajtur me 23 dhjetor, kishte thënë se ndihet i pafajshëm dhe kishte kërkuar nga gjykata që ta liroj nga akuza.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkonte Hysni Hoxhën për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi në cilësinë e kryetarit të OSHP-së, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore i kishte tejkaluar kompetencat e tij ligjore. Sipas aktakuzës Hoxha më 3 dhe 9 tetor 2014 kishte vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik .

Konkretisht, kjo akuzë ishte ngritur lidhur me ankesat e konzorciumeve “Caraglio SRL” dhe NTSh “Electra” të ushtruara kundër vendimit të autoritetit kontraktues KOSTT lidhur me aktivitetin e prokurimit “Instalimi i Grupeve Matëse në Kufirin në mes të KOSTT (KEK) dhe OSSh, edhe pse për këtë ankesë kompetent për vendosje sipas prokurorisë ishte paneli shqyrtues i OSHP-së në përbërje prej 5 anëtarëve. Vlera e këtij aktiviteti të prokurimit ishte 2,327,240.19 euro.