Gazetar: Adrian Kerimi
Komisioni për zgjedhje dhe emërime në Kuvend i dha dritë jeshile 5 kandidatëve për anëtarë të Komisionit Shtetërorë të Zgjedhjeve. Anëtarët e trupit punues tejkaluan dallimet që kishin mbi kandidaturën e Abdush Demirit i propozuar nga Lëvizja Besa. Emrat për kandidatë të KSHZ-së që i takon opozitës shqiptare janë: Abdush Demiri, Zulfi Adili, Berat Dauti, Semir Rakipi dhe Robert Trajkovski.
Në mbledhjen paraprake komisioni tentoi të eliminonte nga kandidatura Abdush Demirin me arsyetimin se ai është sekretar i përgjithshëm i partisë dhe nuk ka të drejtë kandidimi. Deputeti Fadil Zendeli shpalosi dokumentet të cilat dëshmojnë të kundërtën e asaj që pretendonte Marija Georgieva. Sipas Zendelit, Demiri i plotëson të gjitha kushtet, ndërsa sekretari gjeneral i partisë nuk është organ partiak ashtu siç e parandalon ligji: që kandidati të mos jetë në funksion të një organi partiak.
“Kandidati i Lëvizjes Besa, Abdush Demiri i plotëson të gjitha kushtet ligjore, e posedon dokumentacionin e kompletuar në përputhje me Kodin Zgjedhor i cili qartë parashikon kushtet që duhet t’i plotësojnë kandidatët. Në mënyrë skandaloze, kundër ligjore dhe kundër kushtetuese nga ana e kryetares së komisionit pretendohet eliminimi i kandidaturës së Demirit”, deklaroi Fadil Zendeli, Deputet i Lëvizjes Besa.
Pas miratimit të listës së kandidatëve, kryetarja e komisionit duhet ta njofton kreun e Kuvendit për vendimin. Në këtë rast Georgieva nuk është e kufizuar me afate, gjë që forcon dyshimet e opozitës shqiptare se po bëhet obstruksion për të mos pasur anëtar në KSHZ. Opozita shqiptare dyshon se pushteti mund të përdor disa skenarë në mesin e të cilëve edhe mbetjen e ASH-së në opozitë, që më pas kreu i Kuvendit në afat prej tre ditëve pas pranimit të raportit ta njofton partinë për caktimin e kandidatit të tyre. Në rast se Aleanca propozon kandidat, ai nuk do ta kishte mbështetjen e VMRO-DPMNE-së dhe opozitës shqiptare e cila ka kandidatin e saj. Nga ana tjetër, kandidati i opozitës shqiptare aktualisht nuk e ka mbështetjen e BDI-së dhe LSDM-së. Në rastin më të keq, KSHZ-ja mund të përfundon pa anëtarë të opozitës shqiptare, gjë që do t’i penalizonte ata në ndarjen e minutave për programin e paguar politik qoftë në kandidatin e tyre për president apo edhe në programin e paguar politik për zgjedhjet parlamentare. Se një skenar i tillë është i mundshëm, mbrëmë mes rreshtave e tha edhe kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi gjatë një intervistë në 24vesti.
“Sipas përbërjes aktuale dhe sipas mënyrës së sjelljes së vendimeve në KSHZ, formalisht edhe pa një anëtarë mund të sillen vendime të caktuara me shumicë të duhur ashtu sic është e përshkruar në ligj. Në aspektin juridik nuk ka pengesa, në aspektin praktik dilet jashtë nga ajo që është e shkruar”, u shpreh Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.