60 mijë votuesit në lista të veteranëve

Basri Shala – Virusi

Kujtoj se të flasësh, shkruash, mbrosh e përkujtosh Luftën e UÇK-së, është detyrë e nder për secilin prej nesh. Fakti se ka individë që duan të ndryshojnë e të përvetësojnë nga ajo periudhë është për keqardhje. Për keqardhje është debati për listën e veteranëve dhe përpjekja për të rritur numrin. Për keqardhje janë varrezat e dëshmorëve dhe përpjekja për të zgjeruar kufijtë kohorë të Luftës së UÇK-së, duke shtuar si pjesë të saj edhe emra njerëzish tjerë. Për keqardhje është edhe fakti se pas Luftës shumë veteranë u vetëvranë. Këto më shtyen (siç thash më lartë se ndër të tjera kjo është detyra jonë) dhe po jap mendimin për këto tri tema.

E para;60 mijë votuesit në lista të veteranëve

Për keqardhje është fakti se që nga pas lufta e deri tash është luajtur gjithnjë me numrin real të ish- ushtarëve të UÇK-së. Rritja enorme, ose fryerja e listës (lista/ve, term që tashmë ka zënë vend në fjalor, kur përmendet UÇK-ja) i ka disa faza të saj.

Faza ose ofensiva e parë për fryrje ka ndodhur kur u përfol se në mes të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, njëra nga to, ajo e veteranit luftëtar do të ketë edhe pagesë. Hienat, ushqehen me kërma. Për disa politikanë “largpamës”, ky ishte rast ideal. Normalisht nuk e lanë t’iu ikë nga duart. E shfrytëzuan.

Ofensiva e dytë erdhi në një kohë tjetër, në atë të para fushatës elektorale. Kjo ishte ofensiva që e solli numrin e veteranëve në shifra stratosferike. Në fakt, aty më së paku ka veteranë, ato janë lista të votuesve.

Thuhet se në disa fshatra, duke mos e harruar edhe fshatin tim, “deputetët e ardhshëm”, nën petkun e komandantëve lokal e qendror, kishin me vete edhe printerë me ngjyra, dhe shpërndanin çertifikata të veteranëve. Në vend që të premtonin vende pune, për çka edhe do duhej të shkonin e të kërkonin votën, ata shfrytëzuan fshatarët e shkretë, dhe ua blenë burrërinë me një certifikatë, që kishte vlerën e 170 eurove në muaj.

Sot qeni t’zotin se njef!

E tërë lavdia jonë, shkoj për lesh dhe u ble e u shit për një kafshatë buke.

 Por, ne që ishim në Luftë, e dijmë sa ishim. Çuditem si nuk u vjen marre këtyre, kur ne e dijmë se ekzikstojnë disa lista, me marzhin e saktësisë +- 5 %.

Sa për dijeni po i listoj disa lista të pas luftës; Lista e demilitarizimit të UÇK-së (listë që e ka edhe KFOR-i), Lista e tranformimit të UÇK-së në TMK (të cilën po ashtu e ka KFOR-i), si dhe Lista e IOM-it (Organizatë e Kombeve të Bashkuara).

Kurse,lista tjera për ushtarët e luftës së UÇK-së janë; Lista e Shtabit të Përgjithshëm, Lista të cilën e ka pasur Drejtoria për Zbulim dhe Kundërzbulim (ZKZ), e krejt në fund janë listat e njësive, togjeve, kompanive, batalioneve, brigadave, lista këto që e tregojnë numrin e ushatrëve të një Zone Operative.

Do të thotë se listat janë, por ato po mbahen për tjera arsye. (Për këtë do flas herë tjetër!).

E dyta;Varrezat e dëshmorëve dhe kompleksi i çudisë

Për keqardhje janë varrezat e dëshmorëve dhe sidomos përpjekja për të zgjeruar kufijtë kohorë të Luftës së UÇK-së, duke shtuar si pjesë të saj edhe emra njerëzish tjerë.

Këto ditë, në Kleçkë ishte manifestimi për të shënuar përvjetorin jubilar të rënies së Ismet Jasharit “Kumanova”.( Kujtoj se Brigada 121 në fillim të strukturimit e barte emrin e një dëshmori tjetër, pastaj u zëvendësua.  Edhe për këtë temë herë tjetër). Tash 20 vjetori. Histori e largët.Por, m’u kujtua se unë vec në përvjetorin e parë kam qenë bashkë me ylymanë. Kurse gjithëherët tjera, vet ose me dy apo tre shokë të luftës. Këtë vit, për të shënuar përvjetorin jubilar, ishin rirregulluar varrezat. Sigurisht ka pas tender, e kur ka tender, aty dihet se ka edhe dallavere. Dallavere me të rënët!. Me emrin e tyre!. Çudia është kjo: Në pllakatën në hyrje të kompleksit janë të shkruar emrat e 62 të rënëve. Emrat janë nën mbishkrimin Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Dëshmorët e Brigadës 121 Kumanova. Por, çuditërisht janë zgjeruar kufijtë kohorë të Luftës së UCK-së. Aty janë të gdhendur edhe emrat e atyre që kanë vdekur në vitin 1910, 1928, 1945, dhe 1992. Çudia më e madhe është, se komandant Çeliku, në shënimin e përkujtimit thotë se janë 67 dëshmorë të rënë.Aktualisht pllakata ka 62 emra të gdhendur, duke i përfshirë edhe ata të “UÇK-së” së kohës së Ismail Qemajlit, Luftës së Dytë Botërore dhe luftës së Kroacisë. Komandant, tregona se për kë janë ato pesë vende?

Ishalla sjam unë njëri nga ta.

E treta;Vetvrasja e veteranit

Ushtarët e vërtetë të UÇK-së do të kenë vendin e merituar në histori. Ata kanë secili, e të gjithë bashkë një histori betejash dhe sakrificash që shkuan deri në vetëflijime. Por, për keqardhje është fakti se pas Luftës, shumë veteranë u “vetëvranë”. Si rezultat i kësaj numri i veteranëve luftëtarë do të duhet të zvogëlohej, e assesi të rritej. 

Lajmi i fundit: U vetvra edhe një veteran i UÇK-së. Kërceu nga 15 metra lartësi dhe ia mori jetën vetes. Këta janë disa nga tituj që po i lexoj.

Mos harroni, Lufta përveç lirisë, sjell edhe trauma. Traumat janë smundje. Smundjet nëse trajtohen me kohë, shërohen. Edhe traumat e një ish ushtari, sikurse e thashë më herët, në botë konsiderohet si smundje. Shtetet normale, për çdo ushtarë që është pjesmarrës në një luftë, kanë mekanizmin e trajtimit post-traumatik. Deri sot, unë si ish ushtar i UÇK-së, dhe shumë shokë të Luftës, nuk kemi dëgjuar që ndonjëri nga ish- luftëtarët të jetë trajtuar për trauma. Mbase të gjithë po e jetojmë çmendinë, por pa diagnozë të mjekut.

Shoqëria jonë edhe në këtë pikë ka dështuar. Fatkeqësisht, mbase një ditë, do të përfundojmë edhe ne kështu.

Tragjedia është se do na thurin lavde, ata që veç lavde skanë. Do flasin me lot të rrejshëm në sy, ata që për së gjalli në Luftë dhe pas saj s’na i panë sytë. Këta nëfund do e bejnë bërllog, sepse për përfitime personale dhe në emer të “trimërisë” sonë, do na shpallin dëshmorë”.Për çdo përvjetor do t’ua “nxjerrin” sytë familjarëvetanë, më të bëmat e përbashkëta sa ne ishim gjallë, dhe si rrjedhojë do mundohen të përfitojnë nga varret tona.

Zoti na laft mend n’kry.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme