Politikanët e shpallën vit i Skënderbeut, dhe s’bënë asgjë

Ag Apolloni

Siç e dini, ky vit është shpallur Viti i Skenderbeut nga dy qeveritë tona, të cilat, edhe pse iku më shumë se gjysma e vitit, nuk bënë asgjë për figurën e heroit tonë.

Siç mund ta dini, këtë vit unë botova një dramë për Skenderbeun, si pjesë e dytë e “trilogjisë sime elizabetiane”, e cila filloi me “Hamleti simbas Horacit”.

Siç nuk e dini, drama “Skenderbeu” (me nëntitullin maskues, apo mashtrues: Manuskripti i Marlout) ka hedhur në grackën postmoderne shumë lexues, të cilët nuk janë të familjarizuar me lojën e dorëshkrimeve, por unë do të flas vetëm për njërin.

Një ditë, me ftoi në kafe një profesionist i teatrit (po e kursej emrin e tij, edhe pse historia s’është denigruese, por vetëm argëtuese), që e kishte lexuar dramën “Skenderbeu: manuskripti i Marlout” dhe, i mrekulluar nga teksti, kishte vendosur ta inskenonte. Mua më kishte ftuar për të diskutuar jo si autor, por si… e merrni vesh më vonë.

– Jam adhurues i Marlout… uou çfarë drame epike! Tu e lexu, kisha përshtypjen që ishte ma e mirë se tragjeditë e Shekspirit.
Unë, i përkëdhelur nga komplimentet, buzëqeshja, por pa e kuptuar që ai s’e kishte kuptuar “lojën”.
– Eh, s’është kushedi çfarë…, po jam mundu…
– Jo, jo, ti ke ba nji punë të shkëlqyeshme! Po, nuk e kisha ditë që Skenderbeu ka qenë ortodoks…
– Paj, nga librat që kam lexu, ka historianë që e mbështesin këtë, megjithëse…
– Jo, jo, s’ke pasë çka me lexu ti. Kur e thotë Marlou, ajo punë u kry. Ai ka qenë gjeni.
Mua m’u ndez “sijalica” pak, por thashë s’ka mundësi që dikush që mburret me shfaqjet më eksperimentale në histori të teatrit tonë, të ketë rënë viktimë e eksperimentit tim. Derisa po e shikoja dhe mundohesha ta shquaja në fytyrën e tij ndonjë fije ironie, ai shtoi:
– Vepër fenomenale! E mrekullueshme! A ka mundësi me pa dorëshkrimin?
– Cilin dorëshkrim?,- thashë me habi.
– Dorëshkrimin “Skenderbeu” të Marlout, që e ke përkthy ti.
Habia ime i lëshoi vend frikës, se po t’ia thosha të vërtetën mund të më akuzonte për zhdukjen e “dorëshkrimit të zhdukur”. Megjithatë, guxova dhe iu përgjigja:
– S’ka dorëshkrim, nuk ekziston!,- i thashë.
– Qysh nuk ekziston?!,- i hapi sytë. – Unë e bleva librin, ti e kishe përkthy. Qysh e ke përkthy, nëse nuk ekziston?
– Oh, nuk ekziston, – thashë pak me nerva.
– Nuk ta marr, veç po du’ me pa, se e adhuroj Marloun, – insistonte.
Kuku çka më gjeti, thashë me vete. Mallkuar qoftë postmodernizmi që të bën të dukesh hajdut i veprës tënde!
– Nuk mundem me ta dhanë dorëshkrimin, se nuk ekziston kërkund.
– Në Angli është me siguri, po unë deshta me pa versionin që e ke përkthy ti.
– O nuk është as në Angli, as në Kosovë, as kërkund hiç.
U step. Më shikoi me mosbesim dhe, me një dozë të madhe zhgënjimi, më tha:
– Domethanë ke rrejt’, ke mashtru’?
I zënë në faj para këtij “gjykatësi”, ngreha supet.
M’u lut t’ia shpjegoja dhe ia shpjegova. Drama që ishte më e mirë se veprat e Shekspirit, nisi të zbehej në sytë e tij sapo u zbulua autori, megjithatë tha se do ta bënte shfaqjen, sepse në ministri të Shqipërisë dikush i kishte premtuar se do t’ia financonin. Unë mes nervozës dhe humorit, zgjodha të dytën:
– Kur t’i nënshkruani kontratat, më lajmëroni, se, siç e ke pa në fillim të librit, teksti ka copyright dhe autori është gjallë.
Kur dolëm nga kafeneja, dukej që ende s’kishte arritur të qetësohej dhe më tha:
– A nuk e ki në plan me ba nji deklaratë për publikun?
– Pse?!
– Që drama s’është e Marlout,- tha ai.
– Jo, – thashë, – besoj që publiku e kupton vetë.
– Mbas shfaqjes a do me dalë me sqarue, se interesant po duket?
– Me sqaru’?! Do ta mendoj. Suksese!

Kërkoj falje për bërjen publike të kësaj bisede private, por kjo m’u duk mënyra më e mirë për t’ia sqaruar publikut çështjen e dorëshkrimit të zhdukur. Unë e vura maskën e Marlout për ta arsyetuar stilin “elizabetian”, jo për ta mashtruar publikun (sepse konsideroj që të gjithë ata që kanë lexuar së paku “Emrin e trëndafilit” e kuptojnë lojën që në fillim).

Megjithatë, duke marrë kurajë nga komplimentet e bashkëbiseduesit për dramën “Skenderbeu: manuskripti i Marlout”, mund të them, jo pa u skuqur, se edhe pse mund të kem synuar të jem një autor i dalluar shqiptar, tash, kur e pashë që vepra ime ia paska kaluar edhe Shekspirit, jam i lumtur që më bënë të kuptoj se unë jam autori më i madh i letërsisë angleze. Faleminderit! Nuk besoj se do të jetoj aq gjatë sa ta meritoj një kompliment më të madh se ky.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme