Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti u akuzua dje nga Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Lipjan se i kishte ndarë në mënyrë të jashtëligjshme 800 euro për t’ia shlyer detyrimet financiare të një udhëtimi në Filipine, ish-Missit të Kosovës, Kaltrina Neziri.
PDK në Lipjan deponoi një kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit të hënën, ku akuzonte kryetarin Ahmeti se i kishte dhënë para ish-Missit nga Lipjani pa qenë në dijeni se si do të shpenzoheshin ato, raporton Insajderi.
Sipas kallëzimit penal, Kaltrina Neziri i kishte rregulluar dhëmbët me ato para, pasi udhëtimi në Filipine kishte dështuar.
Ish-Missi i Kosovës deklaroi dje për Gazetën Online Insajderi se me 800 eurot që i kishte pranuar nga Komuna e Lipjanit, kishte realizuar udhëtimin në ngjarjen e Miss Earth në Vjenë të Austrisë, një vit më vonë.
“Paratë i kam shpenzuar në udhëtim dhe akomodim”, ka thënë Neziri.
Ndërsa, në Komunën e Lipjanit kanë thënë se kryetari Ahmeti është bazuar në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale kur vendosi të ndante 800 eurot për ish-Missin Kaltrina Neziri.
“Në mbështetje të neneve 13 dhe 58 të Ligjit për Vetëqeverisjen lokale Nr.03/L-040, Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës, nr.28 të datës 4 qershor 2008, neneve 40 dhe 41 të Statutit të Komunës së Lipjanit 1Nr.110-623 i datës 26.09.2008”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Lipjanit për Gazetën Online Insajderi.
Zëdhënësja e komunës, Bukurie Zejnullahu, ka deklaruar se paratë iu ndan Nezirit për ta mbështetur.
“Kryetari i Komunës ka marrë Vendim për mbështetje financiare Kaltrina Nezirit nga fshati Sllovi Komuna e Lipjanit e zgjedhur Miss Kosova në vitin 2014, duke e mbështetur atë me rastin e udhëtimit në shtetin e Filipineve ku e njëjta do ta përfaqësonte Kosovën në MISS Earth”, ka thënë Zejnullahu.
Imri Ahmeti është kandidat nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për kryetar të Lipjanit.