Nënkryetari i Qeverisë së Kosovës dhe ministri për Komunitete e Kthim Dalibor Jevtiq e ka ftuar Policinë e Kosovës t’i mbrojë serbët në fshatrat ku ata janë kthyer në komunën e Istogut, transmeton Koha.net.
Në fshatin Osojan të kësaj komune, siç njoftojnë medie nga Beogradi në fundjavë janë plaçkitur dy shitore, një kafe dhe është vjedhur një automobil.
Jevtiq ka thënë se “është koha e fundit që t’iu dilet në rrugë atyre të cilët që nga fillimi i vitit terrorizojnë të kthyerit në komunën e Istogut” dhe se “plaçkitjet e sulmet ndaj të kthyerve duhet të ndërpriten menjëherë”.
Jevtiq, i cili po qëndron në SHBA, thekson se është e qartë se ka ardhur momenti kur reagimi dhe përgjigja e institucioneve në Kosovë, lidhur me këto incidente, duhet të jetë i vendosur dhe i fuqishëm. Ai thekson se dëmi i bërë do të kompensohet nga buxheti i Qeverisë së Kosovës, por është frik ajo që atë e brengos më shumë.
“Këto ditë në Washington po bisedoj dhe do të bisedoj me përfaqësues të State Departamentit, të Senatit e të Kongresit. Gjatë Lutjes së Mëngjesit, në margjina të kësaj ngjarjeje, do të bisedoj me shumë zyrtarë. Të gjithë, në detaje, do t’ua paraqes me cilat probleme po përballemi aktualisht në Kosovë. Në veçanti do të flas për incidentet në meset e të kthyerve dhe nga bashkëbiseduesit e mi do të kërkoj përkrahje e ndihmë për zgjidhjen e problemeve. Raporti i fundit i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara tregon për gjithë atë që ne po flasim tash e me muaj. Këto gjera duhet marrë seriozisht dhe reagimi i bashkësisë ndërkombëtare duhet të jetë ndryshe dhe më serioz”, ka thënë ai.