Ditën e reshjeve të denduara të shiut në fundjavë, Fatjon Hoxha, elektriçist i OSHEE, humbi jetën në majë të një shtylle të tensionit të lartë, duke riparuar një defekt elektrik, në fshatin Rragam të Tropojës. Ngjarja tronditi të gjithë zonën.
Rrugët e Bajram Currit janë të zbrazëta. Një pjesë e banorëve janë drejtuar në Luzhe, 8 km larg për t’i thënë lamtumirë Fatjon Halil Hoxhës, punonjësit të OSHEE-së që vdiq në krye të detyrës.
Trupi i djalit, që në mars do të mbushte 33 vjec u vendos në lëndinën afër shtëpisë.
Nëna e ulur gati pa ndjenja afër të birit, mbahej nga nusja e Fatjonit. Babai dhe vëllai i të ndjerit i rrinin mbi krye.
Një shprehje thotë: Për të vdekurin ose flitet mirë ose heshtet. Për Fatjonin 32-vjeçar flasin të gjithë vetëm me fjalë shpirti.
Të ardhur nga qytete të ndryshme deri nga Korça e Durrësi, secili ka lidhjen e vet me të.
Në shtëpi punonte vetëm Fatjoni, bashkëshortja është e papunë, ndërsa prindërit pensionistë. Shokët e tij tregojnë se ditën e tragjedisë kishin pirë kafen e mëngjesit me Fatjonin, i cili prej 1 viti punonte si elektriçist për OSHEE-në.
“Mos shko”,- i kishin thënë, se po bëhet qameti. Po e priste vdekja, – thotë një shok i tij i fëmijërisë, që nuk pranon të tregojë lotët e burrit para kamerës.
Vendosja e kapakut mbi arkivol vulosi kapitullin e jetës për Fatjon Hoxhën baba i një djali 3 vjeç dhe i një vajze 1 vjeç e gjysmë.
Trupi i tij u varros në lëndinën pas shtëpisë, vendim ky i të atit, Halilit, që do ta ketë sa më afër birin e tij. /Top Channel