Mbi 1 mijë e 500 kosovarë vetëm gjatë vitit të kaluar janë diagnostikuar me kancer, 334 raste më shumë se në vitin 2016. Më të shpeshtat janë rastet e kancerit të gjirit, mushkërive dhe ato gastrointestinalë. Në Ditën Botërore të Kancerit, Gazeta Express ka biseduar me pacienten S. Rahimi e cila ka mposhtur këtë sëmundje të rëndë, por që me vështirësi po i përballon çmimet e shtrenjta të terapisë.
Qytetarët e Kosovës janë duke u rrezikuar çdo ditë e më shumë nga sëmundja e kancerit. Numri i të prekurve me ketë sëmundje, thuajse të pashërueshme është duke u rritur çdo herë. Sfidë mbetet mungesa e qasjes në medikamentet e reja farmaceutike, si dhe kostoja e lartë e tyre.
Gjatë gjithë vitit të kaluar në Qendrën Klinike Universitare janë trajtuar 1 mijë e 571 raste me kancer. Shifër kjo më e lartë për 334 raste krahasuar me vitin 2016. Lloji më i shpeshtë i kancerit po del të jetë ai i mushkërive tek meshkujt si dhe kanceri i gjirit tek femrat.