Gjykata e Tiranës ka dhënë ditën e sotme masën e sigurisë për 4 personat e akuzuar për vrasjen e Devi Kasmit disa ditë më parë në Tiranë.
‘Arrest me burg’, ka qenë vendimi i Gjykatës për grekun Eftimu Eftimius, Elton Halipaj, Malvin Dinellari dhe Elton Hoxhallari.
Edhe pse greku ka dëshmuar se nuk ka lidhje me vrasjen e Kasmit, ndërsa ka shtuar se ai është dënuar vetëm një herë në Greqi për përdorim kokaine.
Greku ka lënë 10 mijë euro garanci në gjykatë për të dalë nga burgu, por kjo shumë nuk është pranuar nga gjykata.
Po ditën e sotme, është zbardhuar edhe procesverbali i Prokurorisë për arrestimin e shtetasit grek Efthymiou Efthymious, ku mësohet se i janë gjetur 16 kartmonedha me prerje 2000 lekshe, 3 kartmonedha të prerjes 1000 mijë lekshe, 3 kartmonedha të prerjes 500 lekshe, si dhe 20 kartmonedha të prerjes 100 euro.
Po ashtu, prokuroria ka sekuestruar edhe një pasaportë greke, një mbajtëse fotoje me kapak, një patentë në gjuhën greke, një kartë debiti, një dokument në gjuhën greke si dhe një telefon.