Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu në një konferencë për media ka thënë se ligji i miratuar në Kuvend për Trepçën nuk është ligj për zhvillim, por për privatizim.
“Situata është e jashtëzakonshme. Ajo që ka ndodhur mbrëmë është e paprecedent, ajo është mënyra më e keqe e kontrabandimit të një ligji, i cili nuk është ligj për zhvillim, por për privatizim”, ka thënë Sejdiu, raporton KTV.
Ai më tutje ka thënë se qëllimi i Vetëvendosjes ka qenë që Trepça të ketë një mbrojtës, dhe për çdo vendim rreth saj të pyetet Kuvendi.
“Qëllimi ynë ka qenë që Trepça të ketë një mbrojtës, që ligji të jetë si për ndërmarrjet publike, që për çdo vendim të pyetet Kuvendi”, ka thënë ai.
Sejdiu gjithashtu ka thënë se 6 nga 19 nenet krijojnë hapësirë që të privatizohen segmente të Trepçës pas pasur nevojë që të vijnë në Kuvend.
“6 nga 19 nenet krijojnë hapësirë që të privatizohen segmente pa pasur nevojë të vijnë në Kuvend”, ka thënë Sejdiu.
VV thotë se ligji për Trepçën është një strategji afatshkurtër për shpëtim nga likudimi dhe përgatitje për privatizim afatgjatë.
“Propozimi i VV-së ishte që nën-paragrafit 1.1 i nenit 3 të projektligjit, pas fjalisë “me emërtimin ‘Trepça – Ndërmarrje në Administrim të AKP’ t’i shtohet fjalia ‘e transformuar me njësitë biznesore të parapara me këtë projektligj si ndërmarrje publike qendrore në pronësi të Republikës së Kosovës’. Pse Qeveria nuk pranoi asnjë amandament të Grupit tonë parlamentar’, ka thënë Vetëvendosje.
Këtu mund ta dëgjoni deklaratën e plotë në konferencën për shtyp të nënkryetarit të VV-së, Dardan Sejdiu.