“Furtunë” në Greqi: Dy ish-kryeministra dhe tetë ministra dyshohen për korrupsion

Prokurorët grekë kanë dërguar në parlament dosjen e një skandali, ku janë përfshirë edhe emrat e dy ish-kryeministrave dhe tetë ministrave të qeverive të mëparshme.

Sipas mediave vendase, bëhet fjalë për Antonis Samaras që shërbeu si kryeministër në periudhën 2012-2015 dhe për Panajotis Pikramenos, që drejtoi qeverinë e punës nga maji deri në qershor 2012.

Sa u përket ministrave, ata kanë drejtuar dikasteret e shëndetësisë, ekonomisë dhe zhvillimit, nga 2006 deri në 2016.

Dosja përfshihet në atë që quhet si “pista greke e skandalit Novartis”.

Kolosi shumëkombësh farmaceutik me seli në Zvicër, po hetohet për pagesa prej qindra milionë dollarësh në gjithë botën, me qëllim që të dominojë në tregjet e barnave.

Për Greqinë, dyshohet se Novartis, u ka paguar ryshfete 4 mijë mjekëve, që të favorizonin medikamentet e një kompanie shumëkombëshe, raporton Ora News.

Kreu i prokurorisë antikorrupsion dhe dy prokurorët që po e asistojnë, thuhet se kanë gjetur shenja për mitmarrje dhe abuzim me detyrën të dhjetë ish- zyrtarëve të lartë, përfshirë dy ish kryeministrat.

Prokuroria e antikorrupsionit po shqyrton edhe akuzat e mundshme për larje parash.

Sipas ligjit grek, kur gjatë hetimeve implikohen emra personash që kanë shërbyer apo shërbejnë si ministra, dosja duhet t’i kalojë parlamentit, që heton nga ana e vet nëse këta kanë kryer vepër penale.

Ky është skandali i dytë i madh ku sillen të përfshirë ish zyrtarë të lartë grekë. Në korrik të vitit të kaluar gjykata e Athinës shpalli fajtor një ish ministër socialist të transportit dhe telekomunikacioneve. 73-vjeçari Tasos Mandelis pranoi se në fillim të viteve 2000 ishte paguar me 450.000 marka, me qëllim që të favorizonte shumëkombëshen Siemens për kontrata fitimprurëse.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme