Kontratë 240 milionë euro, rinisin punimet në Rrugën e Arbrit

Rruga e Arbërit tashmë nuk do të jetë vetëm një projekt, pasi brenda 2018 nisin punimet.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës dhe kompania fituese “Gjoka konstruksion” firmosën dje kontratën për nisjen e punimeve në Rrugën e Arbrit.

Kontrata me kompaninë fituese të garës u firmos nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës, Gentian Keri, dhe presidenti i kompanisë “Gjoka konstruksion”, Rrok Gjoka.

Ky është projekti i parë që qeveria nis të zbatojë në programin e saj për investime “1 miliard euro” me partneritet publik privat, shkruan Panorama.

Pas firmosjes të kontratës, ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri, deklaroi se kostoja për ndërtimin e rrugës është 240 milionë euro, ndërsa shteti do ta shlyejë kompaninë brenda 13 viteve.

Shuma totale prej 240 milionë euro është parashikuar të mbulojë gjithë koston e projektit, ato të ndërtimit, operimit dhe të mirëmbajtjes për 10 vjet nga kompania.

“Jemi shumë të bindur që shoqëria, nga diskutimet dhe ato çka na prezantoi gjatë negociatave të kontratës, i ka marrë të gjitha masat që brenda afateve të përcaktuara në kontratë, pra, brenda këtij viti, do të realizohet pjesa e financimit dhe fillimi i punimeve të rrugës.

Është një vepër, që do të kushtojë 240 milionë euro dhe në këtë kontratë ne kemi parashikuar që shteti do të marrë përsipër të likuidojë kontraktorin brenda një periudhe 13-vjeçare.

Kontraktori do të marrë përsipër të ndërtojë rrugën në fillim me shpenzimet e tij dhe mirëmbajtjen e kësaj rruge, gjatë gjithë periudhës së koncesionit”, theksoi Gjiknuri.

PROJEKTI

Me nënshkrimin e kontratës, qeveria ende nuk ka bërë publike mënyrën e financimit të rrugës.

Referuar vendimit të qeverisë për dhënien e bonusit koncensionarit, thuhet se kostot e interesave, si rrjedhojë e financimit të vonuar nga shteti për një periudhë 13-vjeçare, vlera e tyre është 6,3 miliardë lekë. Gjendja ekzistuese e Rrugës se Arbrit aktualisht është 20,1 km të përfunduara dhe të vëna në funksionim.

Janë rreth 15 km të tjera, ndërtuar joplotësisht, që kanë mungesë të nënshtresave dhe shtresave rrugore, mbrojtje skarpatesh dhe sinjalistikë dhe siguri rrugore.

Për t’u ndërtuar nga fillimi janë dhe 41 km rrugë, nga të cilat 3 km rrugë i përkasin by-passit të Klosit dhe 3 km janë pjesa e lidhjes së Maqellarës nga Bllata dhe me një tunel, ku do të ketë edhe tubin e dytë të emergjencës. /albeu.com

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme