Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi sot ndihmë edhe nga Greqia për dosjen Habilaj-Tahiri.
Organi i akuzës i ka përcjellë një letërporosi autoriteteve greke për çështjen më të bujshme të kohëve të fundit.
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon informacione nga shteti grek, ndërkohë që shtyu edhe me 3 muaj të tjerë hetimet.
Burime të sigurta pohuan se prokuroria i ka përcjellë një letërporosi autoriteteve greke për çështjen më të bujshme që pas tetorit 2017.
Por ndërkohë burime të Top Channel pohojnë se edhe ndaj tre ish-zyrtarëve të policisë të shpallur në kërkim, ish-drejtori i policisë Vlorë Jaeld Cela, ish-shefi kundër krimit të organizuar Gjergj Kohila dhe ish-shefit të kufirit Sokrat Bode ka nisur edhe hetimi pasuror sipas ligjit anti-mafia.
Këto veprime vijnë atëherë kur për secilin prej të dyshuarve përfshi edhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri është zgjatur afati hetimor edhe për tre muaj të tjerë deri sa dy shtete, Italia dhe Greqia, të kthejnë përgjigje.
Burimet tregojnë se tre ish-zyrtarët e Policisë së Shtetit janë pjese e të njëjtës dosje të trafikut të drogës se bashku me Habilajt.