Komisioni Evropian e ka miratuar në Strasburg “Strategjinë për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunim më të madh të Bashkimit Evropian në atë rajon”. Zyrtarët e Bashkimit Evropian e kanë shpalosur këtë strategji për Ballkanin, por asgjë e re nuk është për shtetin e Kosovës. Në këtë strategji, Kosova ka një mundësi për progres të qëndrueshëm përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe për të avancuar në rrugën e saj evropiane, kur rrethanat objektive lejojnë.
Maja Kocijancic, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë për politikë të Jashtme, Frederica Mogherini, ka publikuar në rrjetin social Twitter deklaratat e presidentit të Komisionit Evropian dhe të Mogherinit në lidhje më atë se çfarë u tha sot gjatë miratimit të kësaj strategjie.
Mogherini tha se ka një perspektivë të qartë të BE-së për rajonin, e mbështetur me gjashtë nisma të reja anëtare.
“2025 nuk është një ditë synimi, por një perspektivë për ata që negociojnë ose të tjerët që do të fillojnë për të negociuar. Le ta bëjmë të ndodhë. Ta sjellim Ballkanin Perëndimor brenda Bashkimit Evropian. Jo në një të ardhme të largët, por në brezin tonë. ” tha sot ajo.
Sot, Komisioni Evropian njoftoi gjashtë veprime specifike që BE’ja do të marrë përsipër vitet e ardhshme për të mbështetur përpjekjet transformuese të Ballkanit Perëndimor në fusha me interes të ndërsjellë.
Strategjia gjithashtu nënvizon nevojën që BE-ja të jetë e gatshme të mirëpresë anëtarët e rinj, sapo të kenë përmbushur kriteret, shkruan Express.
Kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker deklaroi se investimi në stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor nënkupton investimin në sigurinë dhe të ardhmen e Bashkimit tonë.
“Megjithëse nuk do të ketë zgjerime të mëtejshme nën këtë mandat, sot Komisioni Evropian po vizaton rrugën evropiane përpara për Ballkanin Perëndimor. Me vullnet të fortë politik, reforma reale dhe të qëndrueshme dhe zgjidhje përfundimtare për mosmarrëveshjet me fqinjët, Ballkani Perëndimor mund të ecë përpara në rrugët e tyre evropiane. Nëse kjo arrihet, do të varet nga meritat e tyre objektive. Komisioni Evropian do të jetë rigoroz, por gjithashtu do të jetë i drejtë. Do të udhëtoj në secilin nga vendet e Ballkanit Perëndimor në fund të këtij muaji me një mesazh të qartë: të vazhdojmë reformimin dhe do të vazhdojmë të mbështesim të ardhmen tuaj evropiane. “, ka thënë ai.
BE-ja, sipas tij, mund të bëhet më e madhe se 27 anëtarë, nga dinamika e lëvizjes përpara në rrugët e tyre përkatëse të BE-së për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe se kjo bazohet në meritat e tyre dhe në shpejtësinë e tyre në varësi të rezultateve konkrete të arritura.
Strategjia shpjegon hapat që duhet të ndërmerren nga Mali i Zi dhe Serbia për të përfunduar procesin e pranimit në një perspektivë në vitin 2025; Mali i Zi dhe Serbia janë të vetmet dy vende me të cilat bisedimet e pranimit janë tashmë në proces. Kjo perspektivë në fund të fundit do të varet nga vullneti i fortë politik, dhënia e reformave të vërteta dhe të qëndrueshme dhe zgjidhjet përfundimtare për mosmarrëveshjet me fqinjët.
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mundësinë për të ecur përpara në rrugët e tyre evropiane.
Komisioni vlerëson të gjitha vendet në mënyrë të drejtë dhe objektive në bazë të meritave të tyre dhe në shpejtësinë në të cilën ato arrijnë përparim.
Shqipëria dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë po bëjnë përparim të rëndësishëm në rrugën e tyre evropiane dhe Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandime për të hapur negociatat e pranimit, në bazë të kushteve të përmbushura.
Komisioni do të fillojë përgatitjen e një Opinioni mbi aplikimin për anëtarësim të Bosnje dhe Hercegovinës pas marrjes së përgjigjeve gjithëpërfshirëse dhe të plota në pyetësorin e saj.
Me përpjekje dhe angazhim të qëndrueshëm, Bosnja dhe Hercegovina mund të bëhet kandidat për aderim.
Kosova ka një mundësi për progres të qëndrueshëm përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe për të avancuar në rrugën e saj evropiane, kur rrethanat objektive lejojnë.