Që nga pavarësimi i BFI-së e këndej, në Maqedoni gjithnjë kanë gjetur terren të përshtatshëm organizata e fraksione të ndryshme të cilët veprimtarinë e vet e zhvillonin në emër të fesë islame, ndërkohë që elementë të tillë që tangonin interesin e KOM-it sanksionoheshin dhe eliminoheshin brenda ditës./Gazeta Lajm/
Nuk bëhet fjalë këtu për qëndrimin demokratik të shtetit ndaj lirisë së shprehjes së mendimit apo të ushtrimit të veprimtarisë konform dispozitave pozitive të aktëve juridike të vendit, por, mbi të gjitha, për një strategji të padeklaruar me qëllim që Institucioni i vetëm fetar islam në vend gjithnjë të jetë në situatë konfliktuoze “me vetëveten”! Këta subjekte të diskutueshëm jo vetëm që janë lejuar të veprojnë lirshëm por, fatkeqësisht, madje edhe janë stimuluar dhe përkrahur publikisht, duke u munduar që terrenin e veprimit t’ua shtojnë sa më shumë.
Së këndejmi, Shoqata “ILMIJE”, e cila tubon rreth vetes tërë teologët mysliman të vendit si dhe komunitetin e intelektualëve që aderojnë nëpër institucione që merren me zhvillimin e mendimit shkencor islam në vend, ka inicuar një aktivitet të gjërë, të bazuar në hulumtimin e opinionit përmes anketimit dhe intervistimit të shtresave të ndryshme të myslimanëve të vendit, me qëllim për ta hulumtuar besimin e pjesëtarëve të islamit në BFI dhe në organet e saj. Pra, ky Studim është rezultat i një punë disamujorëshe i kësaj Shoqate.
BFI-ja është dhe funksionon për besimtarët myslimanë të vendit
Ky studim mori dritë në momentin që në media qarkulluan rezultatet e një “studimi” që synonte të informonte publikun rreth nivele të besimit dhe perceptimet e besimtarëve myslimanë ndaj organeve të BFI-së. Një studim, i cili që në formulimin e pyetjeve tregonte për orientim të përgjigjeve, duke cënuar integritetin e BFI dhe të organeve si dhe të drejtuesve të saj dhe dhe që synonte keqinformimin e publikut me gjetjet e rezultateve.
Nevoja për një studim të pavarur, objektiv, për të matur perceptimet jo vetëm të besimtarëve myslimanë por edhe të tjerë aktorëve të rëndësishëm, siç janë punonjësit e organeve të BFI-së, apo medresantë dhe studentë në shkollat islame, apo stafi arsimor i këtyre institucioneve, ishte shtysa kryesore në ndërmarrjen e një studimi të tillë. Një studim i cili ishte përfaqësues për gjithë territorin e vendit. Për më tepër, ky studim nuk kishte synim nxjerrjen rezultateve të kundërt nga studimi tendencioz i mësipërcituart, përkundrazi, veç sa mori spunton nga kjo, – për të matur perceptimet e grupeve të ndryshme ndaj jetës fetare në vend, sukseset, anët e dobëta të funksionimit të jetës fetare, dhe matjen e besimit në nivele të ndryshme të hierarkisë së institucioneve që bëjnë pjesë në arkitekturën e jetës fetare në vend.
Një studim i tillë është konsideruar nga BFI si një mundësi e mirë për të njohur realisht perceptimet e grupeve të ndryshme në mënyrë që ato të jenë orientuese për veprime në të ardhmen. E gjitha kjo për të siguruar një jetë fetare cilësore dhe të kënaqshme për besimtarët; një jetë fetare që u përgjigjet nevojave të besimtarëve dhe që përmbush pritshmëritë e tyre. Gjetjet e studimit do t’i shërbejnë një analize të brendshme të institucionit për të matur realisht ku jemi në lidhje më pritshmëritë e besimtarëve. Ndërsa, rezultatet dhe rekomandimet do të na udhëzojnë në përmirësimin e jetës fetare islame si dhe në shërbim më të mirë ndaj besimtarëve në vend, të ndikuara edhe nga koha dhe zhvillimet aktuale në sektorë të tjerë.
Ky studim ka në fokus të tij identifikimin e perceptimeve të besimtarëve myslimanë dhe grupeve të tjera relevante rreth jetës fetare në vend, aspekteve të ndryshme të saj dhe kontributit që jep BFI dhe organet e tjera të saj në avancimin e jetës fetare islame. Një tjetër fokus i studimit është matja e besimit të besimtarëve në liderin, udhëheqësit e jetës fetare në nivele të ndryshme: në nivel qendror (BFI/rijaset dhe reis); në nivel rajonal (myftinia/myftiu) dhe nivel lokal (xhamia/imami). Aspekt i rëndësishëm i studimit është edhe mbledhja e sugjerimeve nga besimtarët dhe grupet e tjera se si mund të përmirësohet jeta fetare, cilat janë aspektet që kërkojnë më shumë vemendje, çfarë sugjerimesh konkrete kanë në këtë drejtim.
Të gjitha këto përbëjnë një burim të rëndësishëm informacioni për BFI-në dhe drejtuesit e saj në planifikimin bashkë me besimtarët të jetës fetare. Opinionet e tyre kanë rëndësi të madhe sepse BFI-ja është dhe funksionon për ta.
Përmbledhje e studimit.
Rezultatet e studimit përgjithësisht anojnë kah vlerësimet pozitive, kënaqshmëri e konsiderueshme, por, gjithsesi, ka edhe perceptime si dhe vlerësime jo dhe aq pozitive. Përgjithësisht, myftinitë janë më të kënaqur dhe më pas vijnë imamët. Më pak të kënaqur mbeten besimtarët, për shkak të pritshmërive të tyre të mëdha.
Studimi tregon për diferenca gjinore në lidhje me frekuentimin dhe përfshirjen e besimtarëve në jetën fetare të komunitetit. Besimtarët meshkuj janë frekuentues më të rregullt të xhamisë në krahasim me besimtaret femra, të cilat, në anën tjetër, janë shumë më të lumtura dhe më të kënaqura me avancimin e jetës fetare islame në vend.
Gjithashtu, studimi tregon për diferencat gjinore edhe në lidhje me përfshirjen në aktivitetet fetare humanitare, besimtarët meshkuj janë më të përfshirë, krahasuar me besimtaret gra të intervistuar.
26% e stafit mësimor shprehen se janë jashtëzakonisht dhe shumë të përfshirë në jetën fetare-humanitare që organizohen nga institucione të ndryshme fetare islame të vendit. Ndërsa 52%, janë aspak ose shumë pak të përfshirë. Krahasuar me grupet e tjera të intervistuara, stafi mësimor i institucioneve arsimore fetare është më pak i përfshirë në jetën fetare humanitare në vend.
Ndërsa studentët shfaqin tendenca të ngjashme me besimtarët në lidhje me përfshirjen në aktivitetet fetare-humanitare.
Më shumë se gjysma e besimtarëve të intervistuar shprehen të kënaqur dhe shumë të kënaqur me jetën fetare të vendit. Besimtaret femra janë përgjithësisht më të kënaqur me jetën fetare në vend.
Nëpunësit e myftinive përfaqësojnë grupin më të kënaqur me jetën fetare të vendit dhe grupin që nuk ka të pakënaqur. Imamët përfaqësojnë një grup tjetër më të kënaqur se besimtarët, kurse 6% e tyre (imamëve) janë të pakënaqur përkundrejt 8% të besimtarëve të pakënaqur.