Vetëvendosje po punon për agjendën ruse?

Ata që e duan bashkimin kombëtar, me ose pa vetëdije, po punoj për agjendën ruse.

Këtë për Rubikon të KTV-së e tha drejtori i institutit KIPRED, Lulzim Peci.

“Ne duhet ta kemi të qartë një gjë, që procesi integrues në BE dhe agjenda e bashkimit të Kosovës me Shqipëri janë agjenda kundërthënëse mes vete”, ka thënë ai.

Sipas Pecit, Evropa e bashkuar e kupton ndryshe bashkimin: Bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë dhe vendeve të tjera brenda Bashkimit Evropian.

“Vetëvendosja besoj që nuk i bën kurrfarë kontributi shtetësisë së Kosovës përmes kërkesës të bashkimit të Kosovës me Shqipëri”, ka thënë ai.

Ai hedh poshtë edhe idenë e kësaj Lëvizjeje që për këtë temë të vendoset me referendum.

“Cili shtet në Evropën bashkëkohore është krijuar si rezultat i referendumit. Realisht asnjë”, theksoi Peci.

Madje edhe referendumi i Malit të zi, thotë Peci, ishte formal.

“Ky ka qenë kusht i bashkësisë ndërkombëtare, nëse këtë do ta bënte në mënyrë unilaterale, askush nuk do ta njihte pavarësinë e Malit të Zi”, përfundoi ai.

 

Peci: Është koha që të tërhiqen Thaçi, Haradinaj, Limaj e të tjerët

Prej presidentit Thaçi, kryeministrit Haradinaj dhe duke vazhduar me liderët e tjerë që mbizotërojnë skenën politike për tashmë dy dekada, që të gjithë duhet të largohen dhe t’u lirojnë vendin të frymëve të reja.

Ish-diplomati, Lulzim Peci në një intervistë për Rubikon të KTV-së u tregua mjaft i qartë duke treguar se kërkon tërheqjen e kësaj skene politike.

Madje ai konsideron se janë pikërisht këta udhëheqës politik i shkaktuan Kosovës siç thotë ai narrativa të dëmshme.

“Që të ndërrohen narativat për një vend duhet të ndërrohen edhe njerëzit që i kanë shkaktu ato narrativa të dëmshme. Unë mendoj që duhet te tërhiqen liderët që e kanë mbizotëruan skenën politike 20 vitet e fundit, e që i bie prej Hashim Thaçit, Haradinajt, Limajt e edhe një pjesë e LDK-së”, ka thënë Peci.


Në Kosovë po qeveriset me muskuj e jo me mendje

Ish-diplomati, Lulzim Peci në një intervistë për Rubikon të KTV-së tha se muskujt po e qeverisin Kosovën .

“Kosova duhet të kaloj nga logjika e qeverisjes me muskuj në logjikën e qeverisjes me mendje”, ka thënë ai.

“Në moment kur tregohet fuqia politike përmes muskujve dhe thonë se ne do ta mbajmë situatën nën kontroll, kemi edhe kapacitetin të hyjmë në aventura politike çfarë ishte rasti i Gjykatës Speciale apo edhe transformimi i FSK-së pa ligj pa u konsultuar me askënd e tregon pikërisht qeverisjen e logjikës me muskuj e cila me krahasuar me muskujt e bashkësisë ndërkombëtare dalin që muskujt tonë janë të pallogaritshëm”, ka thënë ai.

Ai tha se me logjikën e muskujve nuk mund të arrihet asgjë.

 


BE presion Spanjës për njohjen e Kosovës?

“Kosova duhet ta konsolidojë shtetësinë e vet, t’i rregullojë raportet me Beogradin dhe ta implementojë në tërësi MSA-në dhe, kur të krijohen rrethanat, t’i bëj edhe hapat tjerë në drejtim të integrimit në BE. Këto rrethana ka mundësi të krijohen pas vitit 2019 ose 2020, pas arritjes së, supozojmë që do të arrihet, marrëveshjes gjithëpërfshirëse e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë“, ka thënë në Rubikon të KTV-së drejtori dhe themeluesi i KIPRED-it Lulzim Peci.

Njohja e shtetësisë së Kosovës nga Serbia do të bëjë që edhe shtetet që nuk e kanë njohur atë të bëjnë një hap të tillë.

“Nëse ndodh kjo atëherë edhe argumentet e Spanjës në lidhje me mosnjohjen e Kosovës do të veniten“, u shpreh Peci.

Përveç kësaj, Peci vlerësoi se shteti spanjoll do të ketë edhe presion nga BE për të bërë një gjë të tillë.

“Do të shihet si shteti kyç i cili po e pengon transformimin e Ballkanit prej një zone ku kanë mbretëruar konfliktet në një zonë e cila është pjesë e BE-së”, përfundoi ai.

© KOHA. 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme