Në të ardhmen e afërt do të pranohen 20 infermiere për Sektorin hematologjik dhe për Sektorin për kujdes intensiv në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve.
Këtë sot e theksoi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili tha se kanë biseduar me drejtoreshën e Klinikës së fëmijëve dhe kanë dhënë kërkesë deri te Fondi për Sigurim Shëndetësor për punësimin e infermiereve.
“Tani më janë siguruar një pjesë e mjeteve edhe nga Klinika për Fëmijë, por edhe mjete shtesë nga FSSHM-ja. Kemi bërë analiza së bashku me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe identifikuam një numër të madh të infermiereve të papuna. Besoj se do të mund të gjejmë kuadër i cili do të punojë në këto sektorë. Sektori hematologjik mbyllet që të mos lejojmë kurrfarë improvizimesh derisa nuk ka numër të mjaftueshëm të njerëzve”, tha Filipçe, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve para takimit të punës në Odën e Mjekëve të Maqedonisë.
Ato 20 infermiere, potencoi, janë shtesë nga ajo kërkesë për infermiere të cilën rregullisht e ka dhënë drejtoresha e Klinikës për fëmijë për punësim.
Sqaroi se presin që rezultatet t’ju tregojnë ku dhe për cilin drejtim në kuadër të tërë shtetit duhet të përqendrohen dhe jo vetëm për infermieret, por edhe për mjekët për specialitete të ndryshme.
Kryetarja e Odës së Mjekëve të Maqedonisë, Kalina Grivçeva Stardelova duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve theksoi se vitin e kaluar kufiri i moshës të mjekëve familjarë dhe të gjinekologëve amë ka qenë 58 vjet. Sipas saj, kjo nënkupton se këtë vit kufiri i moshës do të jetë 59 vjet.
“Nëse e marrim parasysh se me 62 vjet njerëzit shkojnë në pension, ne për tre vjet do të kemi problem nëse diçka nuk bëhet në kuptim që ata njerëz të stimulohen që të jenë mjekë amë, e jo të jenë mjekë jashtë vendit. Për këtë janë këto takime pune, të gjendet një tentim që njerëzit të motivohen dhe të qëndrojnë në shtet. Çdo vit vetëm në fakultetin e mjekësisë në Shkup diplomojnë 220 mjekë”, tha Grivçeva Stardelova
Shtoi se në vit 173 mjekëve u janë dhënë vërtetime për punë jashtë vendit.