Një javë më parë, Shkëlzen Berisha dëshmoi në prokurori gjysmë ore për çështjen e privatizimit të OSSH. Në një lidhje telefonike me “Të Paekspozuarit” në Top Channel, mohoi akuzat që ngrihen ndaj tij. Ai tha se nuk ka lobuar për CEZ, madje personat e përmendur në dosjen e tij, nuk i njeh fare.
“Është totalisht e pavërtetë që unë kam lobuar për një takim me babain tim me këta persona. E-maili është publik dhe është i vërtetë. Unë nuk kam asnjë lidhje me këta persona. Akuza ka qenë fund e krye që Shkëlzen Berisha ka përfituar nga privatizimi i OSSH-së. Por, nuk kishin asnjë fakt të vetëm për ta provuar këtë”, tha ai.
Djali i ish-Kryeministrit Berisha i cilëson akuzat e ngritura kundër tij për të tërhequr vëmendjen dhe jo si presion politik ndaj babait të tij.
“Im atë ka kaluar shumë në politikë dhe nuk besoj se është kjo. Por, është një frikë e Edi Ramës për shkak të skandaleve të tij, të lidhjeve të tij dhe të ministrave të tij me drogën. Rama ka nevojë të krijojë shashka për të hequr vëmendjen nga lidhja e tij me lëndët narkotike”, deklaroi ai./Dritare.net