Daut Haradinaj gjatë diskutimit për kompleksin e Jasharëve ka thënë se nuk duam të dëgjojmë ligjërata.
Daut Haradinaj, kryetari i Komisionit për Planifikim Hapësinor i ka thënë kryeshefit të Agjencisë për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore Idriz Blakajt se nuk dëshiron të dëgjojë ligjërata prej tij.
Blakaj po raporton në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor në lidhje me gjendjen e shtëpive të familjes Jashari në Prekaz.
“Në vitin 2010 janë ndarë mjetet, trego ku kanë shku ato pare. Kush i ka fajet nëse shembet një pjesë e kompleksit, tregoma emrin. Mos bo hajgare, mediat i paskan fajet, ligjërata nuk dojmë me ngu”, i tha Blakajt Haradinaj.
Haradinaj reagoi kështu, pasi Blakaj fajësoi Qeverinë e Kosovës dhe mediat për gjendjen e kullave.
“Edhe sot me u shpallë tenderi për konservimin e memorialit është vonë e lëre më procedurat. Fajtor për gjendjen e kullave janë të gjitha institucionet e Kosovës edhe mediat”, tha Blakaj.
Kryeshefi tha se shtëpitë e jasharëve që 19 vjet janë në gjendje të keqe.
“Kullat qe 19 vite janë në gjendje të keqe. Në vitin 2015 është shpallë tenderi për projektin e Përparim Ramës, kanë qenë edhe projekt ideja angleze edhe një italiane, po ato nuk janë pranu”, tha Blakaj.
Ë e tenderëve për mirëmbajtje të shtëpive ku u zhvillua beteja e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998.
“Kur është kriju Agjencia e kanë shpallë tenderin për konservimin e kullave edhe e kanë fitu projektin kompania angleze dhe sllovene. Edhe pse ka fitu projektin kompania angleze ajo nuk e ka sjellë projektin”, tha Blakaj.
Ai më tutje tregoi për mjetet që jepen për kompleksin e Jasharëve.
“Në Prekaz është e angazhume kompania për mirëmbajtjen e kompleksit memorial, qeveria çdo vit i ndanë 75 mijë euro për mirëmbajtje. Një kompani e Venedikut e ka bërë rishikimin e projektit edhe i ka gjetë disa vërejtje”, tha Blakaj.
Deputetja Ganimete Musliu tha se gjendja e Kullave të Jasharëve është e keqe.
“Sa herë që kam folë në Parlament për këtë çështje kanë dalë deklarata që këto janë folklorizma. Neve nuk na duhen as betoni, as lulet e as gjelbërimi nëse shembet edhe një pjesë e kompleksit Adem Jashari”, tha Musliu.
Ajo shprehu habinë pse agjencia nuk ka kërkuar mjete shtesë për kompleksin.
Unë kam shprehë habinë time që Agjencioni nuk kanë kërku mjete shtesë për kompleksin Adem Jashari kur atje gjendja është katrahurë”, vijoi fjalën e saj Musliu.
Deputeti Andin Hoti tha se nuk duhet lejuar që këto kulla të rrënohen.
“Po ndjehem i turpëruar që qeveria nuk ka kriju qe 18 vite një projektligj për këtë kompleks. Mendoj që në raste të tilla duhet të ketë procedura urgjente në mënyrë që mos me leju me ndodhë që me u rrënu ato kulla”, tha Hoti.
Ndërsa Liburn Aliu kërkoi të dihet fajtori për gjendjen e shtëpive të Jasharëve.
“Agjencia nuk është kompetent për konservimin e kullave këtu është përgjegjës Ministria e Kulturës, por si profesion, si ekspertizë është kompetent Agjencia. Kush ka qenë bartës i procesit deri tani, ta dimë kush është fajtor”, tha Aliu.
Enver Hoti i kërkoi dorëheqjen Idriz Blakajt.
“Pas atyre gjërave që i dëgjova ju moralisht është dashtë të jepni dorëheqje, e jo me mbajtë peng. 2013 – 2018 përgjegjësia bjen mbi ju kryetar i Agjencionit. Kërkoj që Qeveria Haradinaj të marrë vendim urgjent që qeveria të merret me kullat. Kurse ligji të shkojë sipas kohës dhe procedurës”, tha Hoti.
Mbledhja e komisionit për shkak të seancës së Kuvendit u shty për orën 13:00.