I dënuari në rastin “Bllaca 2”, Shaban Syla, ka hyrë në grevë në burgun e Dubravës, me arsyetimin se dikush qëllimisht nuk po ia lejon shërimin e tij.
Ai, në një letër dërguar KosovaPress-it, ka treguar se posedon rekomandimin e mjekut specialist- internist kardiolog për të bërë koronagrafinë që nga janari 2017, pastaj rekomandimin e dytë nga mjeku specialist, internist kardiologu Gani Rama dhe Isamil Avdi Meta për të bërë EHON e zemrës, por thotë se “për fat të keq nuk janë realizuar pikërisht qëllimisht nga dikush”.
“Unë Shaban Syla kam pas infarkt akut dy herë, ku edhe posedoj dokumentacion të datës 12.07.2013 nga infarkti, kurse infarkti i dytë më 15.11.2013, por përsëri sipas rekomandimit të mjekut specialist, dikush me qëllime indirekt më pengon shërimin tim shëndetësor, ku vuaj edhe nga sëmundja diabetit Diabeti II. Kërkoj urgjentisht të merren organet e hetuesisë dhe prokurorisë me urgjencë të hetohet ky rast se shëndeti im është drejt rrugës jo të mirë Përmes kësaj letre thërras ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahirin që të inkuadrohet në këtë rast. Ftoj të inkuadrohet drejtorin e shëndetësisë të Qendrave të Burgjeve të Kosovës z. Milazim Gjocaj”, thuhet në letër.
Ai ka njoftuar se që nga data 9.2.2017 detyrimisht ka hyrë në grevë shëndetësore dhe të gjitha llojet e grevave, pasi “arsyeja është shëndeti dhe asgjë tjetër”.
Ai ka ofruar edhe rekomandimet dhe dokumentet që dëshmojnë për gjendjen e tij shëndetësore.