Ishte planifikuar që kryeministri malazez, Dushko Markoviq ta vizitojë Kosovën më 6 shkurt, por për shkak të mjegullës kjo vizitë ishte shtyrë.
Takimi i kryeministrit malazez me Haradinajn u prit me mjaft interes, pasi njëra nga temat kryesore të diskutimit do të jetë edhe për demarkacionin.
Kusht i cili po pengon deri më tani liberalizimin e vizave për Kosovën.
Zyrtarë të qeverisë disa herë theksuan se vizita e Markoviqit do të ndodhë gjatë javës së ardhshme por pa dhënë ndonjë datë konkrete.
Por, këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Halil Matoshi sot ka thënë për lajmi.net se datë e mundshme për këtë vizitë është 15 shkurti.
“Vizita realizohet sigurisht gjatë kësaj jave. Mundet me 15 shkurt”, ka thënë Matoshi për lajmi.net
Sipas kësaj ka gjasa të mëdha që kryeministri Markoviq të qëndrojë në Kosovë ditën e enjte.
Kjo vizitë e tij do të realizohet me ftesën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ky i fundit kishte deklaruar se në fokus do të jetë rritja e bashkëpunimit ndërshtetëror, duke mos mohuar se temë do të jetë edhe shenjëzimi i kufirit.
Veç me Haradinajn, Markoviq sipas agjendës që ishte bërë publike javën e kaluar, do të ketë takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli. /Lajmi.net/