Ministria e Tregtisë ka gjobitur kompaninë “Viva Fresh”, në Prishtinë pasi që Inspektorati i Tregut ka gjetur se dy produkte në këtë market kanë pasur tjetër çmim në rafte dhe tjetër tek arka.
Blerja në “Viva Fresh”, saktësisht në pikën e shitjes në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Prishtinë ka dalë të jetë një mashtrim për konsumatorët, të cilëve nëpër rafte të produkteve u ekspozohet një tjetër çmim, por kur shkojnë te arka paguajnë tjetër çmim.
Normalisht çmimi tek arka është më i shtrenjt. E për këtë, Inspektorati i Tregut e ka gjobitur këtë kompani, pasi ka gjetur se çmimi i disa produkteve ka qenë mashtrim i konsumatorit.
Me një mijë euro (1,000), gjobë është dënuar kompania “Viva Fresh”. Vendimin për gjobitje të “Viva Fresh” e ka marr Inspektorati i Tregut që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, më 26 dhjetor të vitit 2017.
Inspektorati i Tregut ka gjetur se dy lloje të produkteve të marketit “Viva Fresh”, në Prishtinë, kanë pasur mospërputhje mes çmimeve të ekspozuara në rafte, me çmimet e të njëjtave produkte tek arka e marketit.
Bëhet fjalë për dy produktet ushqimore: “Shllag krem i bardh” dhe “Vafer Plasura”.
“Shllag krem i bardh” kishte çmimin 0.48 euro në raft, por klientët janë mashtruar tek arka, kur janë detyruar të paguajnë çmimin e këtij produkti në vlerë prej 0.55 euro. Konsumatorët kanë paguar 7 cent më shumë, se sa çmimi i paraqitur në raft.
Ndërsa për produktin tjetër konsumatorët kanë paguar 0.75 euro.“Vafer Pleasura” edhe pse kishte të vendosur çmimin prej 0.69 euro në raft. Në arkën fiskale konsumatorët kanë paguar 6 cent ma shumë.
“Prandaj një veprim i tillë është në kundërshtim neni 9. Paragrafi 3 të Ligjit Nr, 04/L-121 ‘Për Mbrojtjen e Konsumatorit’ 76 pika 1.11 e të po të njëjtit ligj”, thuhet në arsyetimin e Inspektoratit të Tregut, të cilin e ka siguruar Insajderi.
Kjo kompani, është e detyruar që shumën në vlerë prej 1 mijë eurove ta paguajë brenda tetë ditëve prej datës kur e ka pranuar aktvendimin.
“Me gjobë në shumë prej 1000.0 euro (një mijë) të cilën gjobë është i obliguar ta paguan në afatin 8 (tetë) ditësh nga dita e pranimit të Aktvendimit”, ka thënë Inspektorati i Tregut, raporton Insajderi.
Insajderi i ka dërguar pyetje “Viva Fresh”, javën e kaluar lidhur me këtë çështje, por gazeta nuk ka marrë përgjigje.
Ndërkaq, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka thënë për Insajderin se deri më tani ka shqiptuar 19 gjoba ndaj bizneseve të cilat kanë mashtruar klientët e tyre me çmime.
“Inspektorati i Tregut i MTI-së është njëri prej faktorëve kyç në mbrojtjen e konsumatorëve, kështu që inspektorët qendrorë të MTI-së në periudhën e fundit kanë shqiptuar 19 gjoba”, ka thënë MTI për Insajderin.
Ministria nuk ka dashur të jap detaje, teksa ka thënë se “Inspektorati është i obliguar që t’i ruajë të dhënat dhe informatat sipas parimit të besueshmërisë dhe vetëm atëherë kur ekziston të rreziku serioz për jetën dhe shëndetin e njerëzve”.
Insajderi javën e kaluar ka raportuar për rastin e ngjashëm ndaj kompanisë së biznesmenit kosovarë, Ramiz Kelmendi, që njëherëshit është edhe deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK).
Ministria e Tregtisë ka gjobitur kompaninë “ELKOS”, pasi ka gjetur se dy lloje produkteve të marketit “ETC” në Lipjan, kanë pasur mospërputhje mes çmimeve të ekspozuara në rafte, me çmimet e të njëjtave produkte tek arka e marketit. /Insajderi.com