Shqipëria nënshkroi me Bashkimin Europian një marrëveshje për menaxhimin dhe kontrollin e kufijve për të luftuar trafikun e drogës, si dhe për të parandaluar emigracionin e parregullt në zonën Shengen.
Marrëveshja u firmos nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe Komisioneri i Emigracionit, Dimitri Avramopulos.
“Shqipëria nuk do të jetë më në hartën e prodhuesve të kanabisit. Shqipëria do të përfitojë nga projektet e BE-së gjatë zbatimit të kësaj marrëveshjeje”, deklaroi ministri Fatmir Xhafaj.
Nga ana e tij, Komisioneri Avramopulos tha se vendi ka bërë progres, por mbetet punë për të bërë sa i takon menaxhimit të emigracionit të parregullt.
“Shqipëria ka bërë progres dhe unë uroj që së shpejti të jetë pjesë e BE-së. Shqipëria është pjesë e familjes europiane, historikisht dhe gjeografikisht”, tha ai.