Departamenti i Protokollit të Shtetit që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme nesër do ta vendosë flamurin e Republikës së Kosovës te Rrethi.
Zyra për Informim e MPJ-së ka bërë me dije se flamuri i Republikës së Kosovës do të valojë përkrah atij kombëtar pasi të vendoset edhe një shtizë.
“Konform ligjit nr 03/L-132, është kërkuar nga protokolli i shtetit ta zbatojë ligjin sipas kompetencave të tij dhe të bëjë vendosjen e flamurit shtetëror me rastin e festës shtetërore. Pra do të vendoset edhe një shtizë te rrethi kryesor i Prishtinës, me parametra adekuate”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.
Flamuri i Republikës së Kosovës ishte vendosur te rrethi i spitalit nga Komuna e Prishtinës që udhëhiqej nga Isa Mustafa, por atë e kishin hequr Salih Zyba nga Lëvizja Vetëvendosje i cili më vonë kishte shërbyer si drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës.
Kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti këto ditë është përballë me presion publik për vendosjen e flamurit, por ai e kishte hequr përgjegjësinë nga vetja duke thënë se me një gjë të tillë duhet të merret Kryeministri.