Zëvendëskancelari austriak zmbrapset në Beograd: Austria qëndron prapa njohjes së Kosovës

Zëvendëskancelari austriak Heinz-Christian Strache, i cili bëri bujë me deklaratën e tij të djeshme se “Kosova është pjesë e Serbisë”, sot edhe një herë e demantoi veten, duke porositur se shteti i tij qëndron prapa njohjes së Kosovës si shtet të pavarur, transmeton Gazeta Express.
Strache, në pres-konferencën në Beograd me shefin e diplomacisë serbe Ivica Daçiq, tha se “problemi i Kosovës nuk është i zgjidhur në planin afatgjatë dhe se nevojitet që Beogradi dhe Prishtina të gjejnë kompromis”, ngase “asgjë nuk mund të funksionojë në mënyrë të njëanshme”.

“Austria qëndron prapa vendimit për pavarësinë e Kosovës, por unë kam mirëkuptim për pozitën e Serbëve”, tha zyrtari i lartë austriak. Nikoqiri i tij, Daçiq, megjithatë e porositi Strachen: “Populli serb të ka shumë borxh dhe të është falënderues për këtë”.

Strache tha se “është realitet se Austria e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por gjithashtu është realitet se Serbia e sheh Kosovën në përbërje të vetën”.

Strache dhe Daçiq në pres-konferencën e sotme në Beograd
Zëvendëskancelari Strache u raportua të ketë thënë se Kosova është pjesë e Serbisë. Por, nëpërmjet zëdhënësit të tij, ai ka mohuar të jetë shprehur kështu për gazetën serbe “Politika”.

Deklarata se “Kosova padyshim është pjesë e Serbisë”, dhe një propozim prej tij për “të drejtën për vetëvendosje” për Veriun e Kosovës, nxitën shumë reagime në Kosovë.

Madje, Vjena zyrtare u detyrua të distancohet prej deklaratave të tij. Ministria e Jashtme e Austrisë i ka quajtur të pamatura këto deklarime të Straches.

“Njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga Austria është një fakt i pakundërshtueshëm”, ka thënë zëdhënësja e ministres Karin Kneissl. “Dhe kjo njohje nuk mund të ndryshohet”.

Se asgjë s’ka ndryshuar në qëndrimin e Vjenës lidhur me pavarësinë e Kosovës deklaroi edhe ambasadori austriak në Prishtinë Gernot Pfandler.

Së fundmi, sot edhe euro-parlamentari gjerman Bernd Posselt, ka kërkuar dorëheqjen e zëvendëskancelarit austriak Strache, duke e akuzuar se është njëri i Putinit që është spostuar si ‘kali i Trojës’ brenda Bashkimit Evropian, transmeton Gazeta Express.

“Njerëz të tillë janë si kali i Trojës i Putinit në BE, sepse Moska po bën gjithçka që mundet për të hedhur poshtë Pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Posselt./Gazeta Express/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme