Rasti Ivanoviq, Kryeprokurori Syla: Paraburgimi i policëve do të hapte pista të hetimit

Seanca gjyqësore për vendimin në lidhje me policët e arrestuar për rastin Ivanoviq kishte zgjatur më shumë se 7 orë, përkundër se ishin vetëm dy të dyshuar. Në dokumentin e publikuar dje në media, shihet se përkundër që ishin konstatuar shkeljet e policëve gjatë kryerjes së detyrës, ata janë liruar nga gjyqtarja serbe.

Shumë shpesh është diskutuar për shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në veri, por që problemet kanë rezultuar të dukshme. Kjo sidomos në sistemin e drejtësisë, pasi ndikimi i strukturave paralele është i pashmangshëm.

Një gjë e tillë mund të konfirmohet edhe me rastin e fundit ku dy policët që dyshohen se kanë manipuluar me provat në rastin Ivanoviq, janë liruar. Vendim i bazuar në argumentin se të dy nuk mund ta përsërisin veprën e bërë, shkruan lajmi.net.

Edhe pse gjyqtarja në vendim ka konfirmuar që të dyshuarit kanë kryer veprën, ata prap kanë mbetur të lirë.

Për këtë arsye, prokuroria ka ushtruar të drejtën e ankesës gjatë ditës së sotme.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqyri Syla ka konfirmuar për lajmi.net se ankesa është bërë në afat.

Ai është shprehur i bindur se për të dyshuarit është i nevojshëm paraburgimi.

“Ankesën e kemi bërë pasi kemi qenë të bindur se është i nevojshëm paraburgimi. Ata e kanë pranuar kryerjen e veprës mirëpo gjykata ka konstatuar se nuk ka arsye për me caktu paraburgim, pasi ata e kanë pranuar veprën, dhe nuk ka prova të tjera”, ka thënë Kryeprokurori Syla.

Ky i fundit nuk ka pranuar që ta komentoj vendimin e gjykatës.

Por është shprehur optimist që në shkallën e dytë, do të merren parasysh faktet e paraqitura nga prokuroria.

“Është mendim i gjykatës që unë nuk e komentoj dhe kemi bërë ankesë. Shpresoj që shkalla e dytë ndoshta do ta ketë parasysh këto rrethana pasi kjo ngjarje është zhvilluar me një ngjarje tjetër, pra në vrasjen e Ivanoviqit dhe sigurisht që paraburgimi kishte me hap ndonjë pistë hetimi”, thotë Shyqyri Syla tutje për lajmi.net.

Ai pret që në shkallën e dytë të prishet aktvendimi, dhe të merret një vendim tjetër.

“Shpresoj që shkalla e dyt ta prish aktvendimin dhe ta kthejë në rivendosje apo ta ndryshojë”, ka përfunduar Kryeprokurori Syla.

Ndryshe, prova që dyshohet se u manipulua nga të dyshuarit ishte fshehja e një plumbi me të cilin ishte vrarë Ivanoviq.

Ky i fundit ishte vrarë me 6 plumba, por policia në vendin e ngjarjes kishte gjetur vetëm 5. Kjo pasi njëri nga policët kishte fshehur në xhep njërin nga plumbat.

Kurse i dyshuari tjetër nuk e kishte penguar këtë veprim.

Politikani i serbëve të Kosovës dhe kryetari i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” Oliver Ivanoviq u vra në Mitrovicën Veriore më 16 janar.

Ai u varros një ditë më pas në Beograd. /B.B/Lajmi.net/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme