Pala mbrojtëse në rastin “Lagjja e Trimave – Kumanova”, sot e dorëzoi ankesën në Gjykatën e Apelit për vendimin e shqiptuar më 2 nëntor të vitit të kaluar me të cilin 26 të akuzuar të rastit “Lagjja e Trimave – Kumanovë” u dënuan me gjithsej 746 vjet burg dhe 8 me dënime me burg të përjetshëm.
“Dorëzova ankesën kundër vendimit në të cilën kërkojmë: hedhje të vendimit, ri-gjykim. Këto ankesa i bazojmë në dëshmi të fuqishme materiale dhe verbale. Besoj në profesionalizmin e Gjykatës së Apelit dhe konkretisht mendoj se do të vërtetohet se në këtë rast nuk është vërtetuar gjendja faktike. Me këtë aktakuzë që dënohen këta djem, nuk është caktuar motivi, nuk ka elemente për terrorizëm dhe organizatë terroriste. Besoj që Gjykata e Apelit do t’i merr parasysh të gjitha lëshimet që i ka bërë Gjykata Themelore dhe kërkesat tona do të pranohen” u shpreh avokati që dërgoi ankesën, Mefail Arsllani, njofton Portalb.mk.
Ai theksoi që aktualisht me këtë aktakuzë ende nuk është kuptuar se “çfarë ka ndodhur me 9 dhe 10 maj në Kumanovë dhe është e nevojshëm dhe e patjetërsueshme të ketë hetim ndërkombëtar” tha Arsllani.Vëllai i të burgosurit Valdet Zekaj, Ardet Zekaj tha se ai dhe familja presin tani të merret vesh e vërteta.
“Kur del e vërteta, gjithçka do të ndryshojë. Gjithçka ka qenë e monitoruar dhe e harruar nga dikush dhe duhet të del në pah kush është përgjegjës. Nëse nuk del e vërteta, mund të ketë pasoja tjera. Nëse ata mbesin në burgim të përjetshëm me të pavërtetën kjo do të thotë që jemi dorëzuar. Por ne nuk jemi dorëzuar dhe kërkojmë të vërtetën për ata që janë burgosur dhe për ata që janë vrarë” u shpreh Zekaj, njofton Portalb.mk.
Ai theksoi se gjendja e të burgosurve është e mirë por kushtet janë tmerruese.
“Duhet të ndryshohet vendi ku ata vuajnë burgun se një njeri nuk duhet të mbahet në ato kushte të tmerrshme” tha Zekaj.
Ndryshe, pas momentit të parashtrimit të ankesës, e njëjta duhet të shqyrtohet nga gjykata dhe nëse pranohet si e tillë do të duhet të mbahet seancë gjyqësore. Sipas afateve dhe procedurave gjyqësore seanca pritet të mbahet pas gjashtë muajve.
“Njoftimin për vendimin e shqiptuar nga Gjykata Penale për rastin “Kumanova” e kemi marrë. Pas marrjes së njoftimit ne do të ankohemi për vendimin. Kjo do të ndodhë brenda 15 ditëve nga dita e marrjes së njoftimit. Tash për tash jemi duke e përgatitur ankesën. Nëse pranohet ankesa dhe nëse gjërat rrjedhin sipas procedurës së paraparë, duhet të caktohet seancë në gjykatë. Seanca mund të mbahet brenda 6 muajve të ardhshëm”, tha kohë më parë avokati mbrojtës i “Grupit të Kumanovës”, Mefail Asllani. Megjithatë ai tha se të gjitha këto procedura mund të ndryshojnë varësisht punës në gjykatë.
Nga ana tjetër, në lidhje me vendimin për burgim të “Grupit të Kumanovës” nga lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, u paralajmërua edhe formim i Komisionit Anketues në Kuvendin e Maqedonisë, megjithatë siç mësoi Portalb.mk kohë më parë nga deputetët shqiptarë një gjë e tillë pritet të ndodhë pasi që gjykimi i rastit të “Kumanovës” të kalojë në fazën e dytë. Faza e dytë e gjykimit të rastit “Kumanova” vjen pas miratimit të ankesës së palës mbrojtëse për vendimin e Gjykatës Penale dhe për të njëjtën të caktohet seancës gjyqësore.
Sipas ekepertëve juridik që komisioni anketues për rastin “Kumanova” të ketë efekt duhet të kemi reformim të tërësishëm të gjyqësorit, veçanërisht të Këshillit Republikan dhe Këshillit të Prokurorëve Publik.
Ndërkaq për rastin “Kumanova” u kërkuar edhe hetim ndërkombëtar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Aleanca për Shqiptarët, është paralajmëruar nga Ministria e Punëve të Brendshme, presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, në Prishtinë, Behxhet Shala, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti slloven Borut Pahor, thirrje të tilla ka pasur edhe nga eurodeputetët, zyra e të Drejtave të Njeriut në OKB, Kosovë, Shqipëri, figura të tjera politike dhe ekspertëve për çështjet e brendshme. Për të njëjtën deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë hap.
Ndryshe, më 2 nëntor u tha vendimi gjyqësor për rastin “Kumanova” ku për “Grupin e Kumanovës” u shpall dënim me 7 shekuj e gjysmë burg e 7 dënime me burgim të përjetshëm. Pas këtij vendimi të Gjykatës së Apelit kishte edhe protesta të shumta në Prishtinë, Tiranë, Shkup dhe Vjenë