A do t’i pushtojë Rusia shtetet e Baltikut?

2018-a e shenjon 100 vjetorin e pavarësisë së shteteve Baltike – Lituanisë, Estonisë dhe Letonisë. Këto tri shtete veriore evropiane njihen si shtetet Baltike për shkak të kufizimit me detin Baltik, por ishte kufiri tjetër me fqinjin e saj që e bëri pavarësinë aq shumë të dëshiruar dhe të luftuar: Rusia Imperialiste.

Në 2018-n, vendet e Baltikut janë kombe të pavarura. Por ankthi ndihet përsëri, sepse Rusia po i mbledh muskujt e saj në rajon.

Pyetja që shtrohet këtu është: A do të jetë 100 vjetori i pavarësisë së këtyre vendeve, moment për festim, për rritje tensionesh, apo për të dyjat?

Së pari, të shqyrtojmë paksa historinë.

Ndërsa Lufta e Parë Botërore arriti kulmin e saj më 1918, perandoritë po binin gjithandej, përfshirë perandorinë ruse.

Në mes të kaosit, shumë vende të ndryshme u lindën, përfshirë edhe kombet Baltike. Lituania e shpalli pavarësinë më 16 shkurt 1918, e pasuar nga Estonia më 24 shkurt. Letonia ndërkohë priti më gjatë, dhe e shpalli pavarësinë e saj në nëntor. Por ishte disa javë më parë që fqinji i saj – Rusia Sovjetike – e pushtoi Letoninë.

Derisa Perandoria Ruse po shembej, kjo çoi në Revolucionin e Tetorit. Ai revolucion, i udhëhequr nga Vladimir Lenin dhe bolshevikët, e vendosi Republikën Ruse Sovjetike, që më vonë do të njihej si BRSS.

Dhe përgjatë Luftës së Dytë Botërore, shtetet baltike u okupuan përsëri, së pari nga BRSS-ja e më pas nga Gjermania Naziste, e krejt në fund sërish nga Bashkimi Sovjetik.

Kështu mbeti gjendja deri pas rënies së BRSS-së në fillim të viteve 90. Shtetet Baltike u bënë të lira përsëri, por me rrezikun e përhershëm nga Rusia, dhe me të drejtë, marrë parasysh modelet e okupimit të shekullit 20 dhe madje edhe më herët.

Një ndër hapat më madhorë që këto vende ndërmorën për të luftuar rrezikun ndodhi në vitin 2004, kur zyrtarisht u bënë pjesë e NATO-s.

Kjo nuk u prit lehtë në Moskë. Rusia e ka kundërshtuar antarësinë e vendeve baltike në Nato gjatë gjithë viteve 90. Në fakt, më 1997 në samitin e Helsinkit, presidenti rus Boris Yeltsin provoi të bënte një “marrëveshje gjentëlmenësh” me presidentin e ShBA-së Bill Clinton që NATO nuk do të lejonte këto shtete të bëheshin pjesë e saj.

Por Clintoni kishte refuzuar, dhe vite më vonë, kur George W.Bush dhe Vladimir Putin ishin liderë të vendeve respektive, Lituania, Letonia dhe Estonia iu bashkuan Aleancës.

Në atë kohë, Putini kishte dhënë shenja se ishte më i vullnetshëm të punonte me NATO-n dhe që antarësimi i vendeve Baltike në Nato nuk do ta mërziste shumë.

Por kjo ndryshoi pak më vonë, dhe duke parë që disa prej fqinjëve më të afërt kishin kaluar në aleancën e fuqishme ushtarake perëndimore, Rusia ishte bërë më agresore.

Dhe duke pasur ndërmend atë agresion, eventet e fundit i japin shteteve baltike arsye për t’u brengosur.

Kur Rusia e pushtoi Ukrainën dhe e aneksoi Krimenë më 2014, Lituania, Letonia dhe Estonia ishin në gjendje alarmi. NATO i shtoi ushtrimet ushtarake në rajonin e Baltikut si një sinjal për Rusinë që ky rajon ishte i mbrojtur.

Dhe në vitet e fundit, agresioni rus ka mbërritur kulmin e tij.

Ishte muaji gusht i 2008-s, gjatë Lojërave Olimpike në Pekin, kur Rusia e sulmoi Gjeorgjinë duke e penguar që t’i rimerrte rajonet e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore.

Lajmi që dy vendet ishin në luftë erdhi vetëm një ditë pas ceremonisë hapëse në Pekin. Liderja e ekipit olimpik rus, e kishte quajtur presidentin gjeorgjian “të sëmurë mendor” dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ndërmori masa ndaj saj.

Ishte shkurti i vitit 2014 kur Rusia e pushtoi Krimenë, tri ditë pas fundit të lojërave Olimpike në Sochi.

Konflikti ruso-gjeorgjian ishte intensifikuar muaj të tërë para gushtit të vitit 2008, ngjashëm si situata në Ukrainë që datonte që nga nëntori i vitit 2013.

Në fakt, disa studiues mendojnë që vëmendja ndërkombëtare për Lojërat Olimpike në Rusi, kishte bërë që Putini të priste para se të bëhej më agresiv ndaj Ukrainës, ndërsa të tjerët kanë menduar se ka vepruar menjëherë pas Lojërave në mënyrë që pjesërisht të tërhiqte vëmendjen nga korrupsioni financiar në Sochi.

Por të kthehemi te situata aktuale në Baltik.

Çdo konflikt rus në rajon është shumë-shtresor dhe i bazuar në një kombinim të faktorëve të ndryshëm.

Një faktor shumë i rëndësishëm është mënyra sesi e sheh Rusia trajtimin e popullsisë etnike ruse në vendet baltike. Kur Bashkimi Sovjetik u nda dhe Lituania, Estonia e Letonia edhe njëherë u bënë të pavarura, një pyetje e komplikuar e nënshtetësisë kishte lindur.

Lituania e ka një ndër politikat më liberale dhe i ka garantuar nënshtetësi çdonjërit që jetonte aty gjatë kohës së Pavarësisë, ndërsa Estonia e Letonia kanë vendosur rregulla të komplikuara që nënkuptonte se rusët etnikë duhej t’i nënshtroheshin testeve të historisë dhe gjuhës para se t’iu jepej pasaporta.

Qeveritë donin që rusishtfolësit vendor të dëshmonin se mund të flsnin letonisht ose estonisht – të cilën shumë e panë si një shenjë diskriminimi.

Deri sot, disa rusë etnikë që jetojnë në Baltik kanë thënë që ndihen si qytetarë të rendit të dytë, dhe Putini e ka thënë publikisht që është në qëllimin e Rusisë që t’i mbrojë ata.

Ky ishte preteksti për Rusinë që të lëvizte drejt Krimesë, e cila ishte një republikë autonome brenda Ukrainës – që e kishte një popullsi me shumicë etnike ruse.

Pra, nuk është çudi që baltikët janë nervozë – dhe tash, gjërat po bëhen edhe më të tensionuara.

Më 5 shkurt, presidentja e Lituanisë tha që Rusia sapo i kishte vendosur disa raketa rreze-mesëm përgjatë kufirit të saj. Ndoshta edhe më shqetësuese për Lituaninë ishte kur Rusia publikisht e pranoi një gjë të tillë – e cila mund të ishte një përpjekje tjetër për ta mashtruar Nato-n dhe për t’i mbledhur muskujt në atë rajon.

Asnjëra prej këtyre nuk do të thotë që Putini do ta pushtojë Baltikun. Ndoshta është vetëm sa për ‘show’ – duke dashur rritjen e tensioneve mes anëtarëve të NATO-s.

Por pas 100 vitesh që u përcollën me disa okupime të ndryshme, vëmendja për 2018-n duhet të zhvendoset në këtë pjesë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme