Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u nderua sot me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës.
Titullin ia dorëzoi rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Tonin Gjuraj, në një ceremoni të veçantë, e organizuar në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Rektori i këtij universiteti, Dr. Tonin Gjuraj duke arsyetuar ndarjen e çmimit për Presidentin Thaçi, theksoi kontributin e veçantë të tij si udhëheqës i Kosovës në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit në Kosovë.
“Për kurajën e madhe, maturinë, dhe shembullin e madh të atdhedashurisë që z. Thaçi ka shfaqur në momente, kur këto ishin më të nevojshme se kurrë dhe më të vështira se kurrë për Kosovën.
Për kontributin e madh në liri dhe paqe dhe përpjekjet e pandalshme për të ndërtuar një vend të lirë dhe demokratik, një vend ku dinjiteti i njeriut është i shenjtë dhe ku pakicat, qofshin ato serbe, boshnjake apo turke mbrohen me tërë forcën e të drejtës dhe ligjit dhe trajtohen si të barabarta”, thuhet në motivacionin e Universitetit.
Aty po ashtu thuhet se presidenti Thaçi ka dhënë një kontribut të çmuar në procesin e shtetndërtimit dhjetëvjeçar.
“Për kthjelltësinë dhe kurajën për përballje me vështirësitë e shtetndërtimit, për frymën e lartë të respektimit të kundërshtarëve politikë dhe demokracinë, për zhbërjen e barrierave mes shqiptarëve, si dhe për procesin e dialogut dhe integrimit të Kosovës në botën demokratike”, thuhet në këtë motivacionin.
Me këtë rast, presidenti Thaçi mbajti një fjalë rasti, në të cilën ai fillimisht falënderoi drejtuesit e Universitetit Europian të Tiranës.
Presidenti Thaçi tha se ndihet jashtëzakonisht i nderuar me këtë vlerësim që i është bërë nga ky universitet.
“Sot ndjehem i privilegjuar që në vigjilje të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të nderohem me titullin Doctor Honoris Causa”, tha presidenti Thaçi.
Ai shtoi se ky titull nderi vjen nga një Universitet i cili po bën emër të mirë gjithnjë e më shumë me të arritura akademike dhe shkencore, duke i ngritur standardet e studimeve të botës shqiptare në rang evropian dhe atë botëror.
“Universiteti Evropian i Tiranës në botën akademike shqiptare është bërë model i aplikimit të metodave moderne të hulumtimit dhe arritjes së rezultateve shkencore, veçanërisht në shkencat sociale”, vlerësoi presidenti Thaçi.
Sipas tij, këto ditë Kosova feston dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë, ku para ardhjes së këtij akti madhor, që kurorëzoi ëndrrën shekullore të popullit të Kosovës, qëndron një histori e pasur, tragjike dhe heroike njëkohësisht.
“Është fat i madhe që populli shqiptar që nga koha e Motit të Madh, që nga epoka e Gjergj Kastriotit – orientimin politik dhe kulturor e pati të qartë, nga Perëndimi, nga Oksidenti. Ky orientim bëri që në fund të shekullit njëzet Ushtria Çlirimtare e Kosovës të marr mbështetje nga bota perëndimore, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga shtetet e BE-së dhe nga aleanca më e fuqishme ushtarake e botës – NATO”, tha presidenti Thaçi, duke shtuar se duke pasur këtë synim, sot shqiptarët kanë shënuar të arritura historike.
Sipas tij, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, derisa Shqipëria është anëtar i aleancës veri-atlantike, i NATO-s.
Ai ka shtuar se edhe shqiptarët në Maqedoni po avancojnë të drejtat e tyre gjithnjë e më shumë, derisa ata në Mal të Zi janë një faktor konstruktiv në forcimin e një shtetit fqinj, duke mos harruar asnjëherë shqiptarët në Preshevë.
Presidenti Thaçi ka falënderuar gjithë shqiptarët, që në rrethana shumë të vështira, kanë hapur dyert për të pritur vëllezërit e tyre nga Kosova.
“Na pritet në shtëpitë tuaja nga Kosova e robëruar dhe i përcollët në Kosovën e lirë, si rezultat i projektit të përbashkët tonë. Do jemi mirënjohës përjetësisht për çdo njërin prej juve”, ka shtuar ai.
Sipas tij, shteti shqiptar ka luajtur një rol historik në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Duke, folur për shtetndërtimin dhjetëvjeçar në Kosovë, Thaçi ka thënë se pavarësinë e Kosovës e kanë pranuar 115 shtete, derisa në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konfirmoi të drejtën tonë për të qenë shtet.
“Në vitin 2012 përfunduam periudhën e mbikëqyrjes së pavarësisë. Në vitin 2013 kemi nënshkruar Marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në vitin 2015 nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) -në me Bashkimin Evropian”, ka renditur ai sukseset e këtyre dhjetë vjetëve.
Sipas tij, demokracia në Kosovë ka lëshuar rrënjë të thella dhe ne tani jemi në gjendje t’i mbajmë zgjedhjet e lira vetë, si ato për pushtetin qendror, ashtu edhe ato për pushtetin lokal, të cilat janë shembull për rajonin.
“Kemi krijuar institucione të qëndrueshme në të gjitha nivelet. Shërbimin inteligjent, policinë dhe doganën nga më të mirat në rajon. Forcën e Sigurisë së Kosovës, institucion i shkëlqyeshëm që së shpejti do të marr detyrat dhe misionin e një ushtrie të mirëfilltë moderne”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova ka shënuar në vazhdimësi një zhvillim ekonomik që është më i larti në këtë pjesë të Evropës.
“Kosova merr pjesë në të gjitha garat sportive në botë. Sportistët valëvitin me krenari flamurin e Kosovës në të katër anët e rruzullit tokësor. Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e parë të artë olimpike dy vjet më parë në Olimpiadën e Rios. Kosova i ka dhënë Evropës dhe botës këngëtare të famshme, ka bërë filma artistikë të çmuar në gjithë botën”, ka thënë ai.
Në fund, presidenti Thaçi ka theksuar se lista e arritjeve dhe e sukseseve në shtetin e Kosovës dhe të shtetit të Kosovës, është shumë e gjatë.
“Kjo na bën të gjithëve krenarë”, ka thënë ai, para shumë profesorëve, personaliteteve të jetës politike dhe publike në Tiranë.
Motivacioni:
Për kurajën e madhe, maturinë, dhe shembullin e madh të atdhedashurisë që z. Thaçi ka shfaqur në momente, kur këto ishin më të nevojshme se kurrë dhe më të vështira se kurrë për Kosovën.
Për kontributin e madh në liri dhe paqe dhe përpjekjet e pandalshme për të ndërtuar një vend të lirë dhe demokratik, një vend ku dinjiteti i njeriut është i shenjtë dhe ku pakicat, qofshin ato serbe, boshnjake apo turke mbrohen me tërë forcën e të drejtës dhe ligjit dhe trajtohen si të barabarta.
Për përpjekjet e jashtëzakonshme për të siguruar pavarësinë e Kosovës, por veçanërisht për kontributin si kryeministër dhe president i Kosovës, si një promovues i fuqishëm i rrëzimit të barrierave mes Prishtinës dhe Tiranës, duke nxitur një intensitet shkëmbimesh të paimagjinueshme të disa viteve më parë.
Duke lehtësuar shkëmbimet akademike dhe shkencore, njohjen reciproke të diplomave, për të hapur kështu rrugën për një treg të përbashkët në fushën e edukimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Për kthjelltësinë dhe kurajën për përballje me vështirësitë e shtetndërtimit, për frymën e lartë të respektimit të kundërshtarëve politikë dhe demokracinë, për zhbërjen e barrierave mes shqiptarëve, si dhe për procesin e dialogut dhe integrimit të Kosovës në botën demokratike.