Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë, e cila prej përfundimit të luftës në Kosovë u shndërrua në simbol të ndarjes së qytetit dhe qytetarëve të saj, vazhdon të ketë të njëjtin rol edhe pas 10 viteve të pavarësisë së shtetit të Kosovës.
Mbi këtë urë shpërthyen tensione, dhunë, trazira, incidente, protesta, barrikada e mure të larta nga betoni, duke përforcuar kështu edhe më shumë kuptimin e saj ndarës midis shqiptarëve në jug dhe serbëve në veri.
Historia e saj si pika më e nxehtë në vend, nënkupton se qytetarët dhe njohësit e rrethanave këtu vazhdojnë të jenë skeptik sa i përket progresit dhe ndryshimit të funksionit të saj, të paktën edhe për një kohë.
Xhafer Fetahi, qytetar nga veriu i Mitrovicës, por që tani jeton në jug të këtij qyteti, tha për KosovaPress se ura e Ibrit vazhdon të simbolizojë ndarjen.
Sipas tij, përveç se kjo urë ka ndryshuar në dukje, nuk vërehet ndonjë lëvizje edhe pas 10 viteve të mëvetësisë së Kosovës, ndërsa për ngecje të proceseve ka fajësuar politikën.
Ai shtoi se nevojitet kohë e gjatë deri sa kjo urë të ketë funksionin e kundërt prej asaj që ka sot.
“Kjo urë siç duket është një simbol i ndarjes. Meqenëse është një lëvizje e lehtë e njerëzve, kjo neve nuk është duke na kënaqur, besoj asnjë qytetarë, pavarësisht i kësaj apo asaj ane…Nuk ka arsye tjera, përveç politikës…Përveç një pamje që është meritë e ndërkombëtarëve dhe investimeve të tyre, nuk vërehet se ka lëvizur diçka gjatë këtyre 10 viteve…Duhet një kohë bukur e gjatë, duke marrë parasysh se sa problemet kanë ndodhur në këtë urë” , ka thënë Fetahi.
Edhe Jelena Cvetkoviq, qytetare nga veriu i Mitrovicës, ka thënë se ura mbi Ibër vazhdon të simbolizojë ndarjen, dhe se asgjë nuk ka ndryshuar deri tash.
“Jam e zhgënjyer me komplet situatën dhe jetesën në Kosovë, kështu që është e tepërt gjithçka të thuhet…Ura ka mbetur akoma simbol i ndarjes, asgjë nuk ka ndryshuar. Sa fat do të ishte sikur të ishte simbol i bashkimit, por dyshoj se kjo do të ndodhë në një të ardhme të afërt…Përveç këtyre punimeve të cilat i vërejmë, asgjë më shumë s’ka ndryshuar”, theksoi për KosovaPress Cvetkoviq.
Në anën tjetër, politologu Musa Preteni, ka bërë të ditur se fatkeqësisht funksioni i urës së Ibrit ka mbetur i njëjtë sikur para 10 viteve.
Sipas tij, kjo ngecje po ndodhë për shkak të palës serbe, derisa hapjen sa më të shpejtë të saj e sheh si zgjidhje të vetme dhe të pakontestueshme.
“Fatkeqësisht e gjithë ajo që ka ndryshuar tek ura e Ibrit është fakti që ka ndryshuar në formë për shkak të zhvillimit të disa punimeve, investimeve dhe kryesisht çështjeve simbolike që janë zhvilluar aty, por funksioni i urës ka qenë i njëjtë dhe vazhdon të mbetet edhe pas 10 vjet të pavarësisë së shtetit të Kosovës. Është simbol i ndarjes dhe vazhdon ta ndajë qytetin në dy pjesë dhe mos të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve… Zgjidhja e vetme është që ura të hapet dhe unë besoj se kjo do të ndodhë, mirëpo ngecja që ka ndodhur deri tani është bërë për shkak të palës serbe e cila vazhdon që prej vitit 1999 ta shfrytëzojë urën e Ibrit për poena politik, sidomos për udhëtimin e saj drejt BE-së…Fatkeqësisht ura do të hapet, por do të hapet, atëherë kur të dëshirojë Serbia”, sqaroi për KosovaPress politologu Preteni.
Zhelko Tvërdishiq, analist nga veriu, ka potencuar se për njerëzit normalë kjo urë, sikurse të gjitha urat tjera, do të duhej të simbolizonte bashkimin e qytetit dhe qytetarëve të saj.
Ai tha se bashkimi i vërtetë i Mitrovicës dhe i qytetarëve të saj do të ndodhë atëherë kur gjendja ekonomike në Kosovë të ndryshojë dhe qytetarët të jetojnë më mirë, si dhe kur politika nuk do të zë vend të parë përballë shumë problemeve tjera.
Tvërdishiq nuk ka precizuar kohën kur do të ndodhë një gjë e tillë.
“Ka disa lëvizje, shihet se edhe ura ka marrë formën e një gjendje më të mirë, mirëpo jemi akoma në fillim të rrugës kryesore, e kjo rrugë është drejt Unionit Evropian. Do të duhet akoma përpjekje në mënyrë që qytetarët të rrugëtojnë drejt kësaj, ndërsa do të jetë e duhur që institucionet dhe zyrtarët kosovarë të bëjnë akoma përpjekje që qytetarëve t’u mundësojnë perspektivën evropiane…Varësisht kush si e sheh, për dikë kjo urë është simbol i ndarjes, për njerëzit normalë kjo urë, si edhe të gjitha urat tjera, duhet të jenë simbol i bashkimit…Kjo urë do të bëhet vërtetë simbol i bashkimit, atëherë kur njerëzit do të jetojnë shumë më mirë, kur gjendja ekonomike në Kosovë të jetë shumë më e mirë, dhe kur politika nuk do të jetë në rend të parë…Kjo do të ndodhë në të ardhmen, por nuk e di nëse në të ardhmen e afërt apo të largët”, ka thënë Tvërdishiq.
Ndryshe, edhe projekti i financuar nga Evropa për rinovimin e kësaj ure me një kosto prej rreth 1.2 milion eurosh, i cili filloi në gusht të vitit 2016 dhe që për synim kishte normalizimin e raporteve mes shqiptarëve e serbëve, nuk u realizua.
Ajo pritej të hapej më 20 janar të vitit të kaluar, por për shkak të autoriteteve lokale serbe, punimet tek cepi verior janë ndërprerë dhe tani mbetet e paqartë se kur do të vazhdojnë ato.