Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci dhe Liburn Aliu, kanë kërkuar zbatimin e kërkesave të miratuara nga Kuvendi lidhur me rastin, që ata e quajnë të montuar, të katër aktivistëve të dënuar të kësaj Lëvizje.
Në një konferencë për media, Nagavci e Aliu kanë thënë se duhet të zbatohen nga qeveria pikat të cilat janë votuar në Kuvendin e Kosovës.
Ata kanë thënë se duan hetim për të gjithë hierarkinë e zyrtarëve në këtë rast.
“Nuk mund të ketë hetim të rregullt nëse, ta zëmë ish-ministrja e drejtësisë, Dhurata Hoxha, të vazhdojë të jetë ministre. Pra duhet të ndodhin paraprakisht shkarkimet e më pas hetimi”, ka thënë Aliu.
“Personat që janë pjesë e hetimit, s’mund të jenë edhe pjesë e qeverisë”.
Nagavci e Aliu e kanë përsëritur se vendimi për t’i dënuar me burgim aktivistët e tyre është komplet arbitrar dhe i pabazuar në kurrfarë fakti.
Gjykata Themelore në Prishtinë i pati shpallur fajtorë deputetin e Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, si dhe tre aktivistët e tjerë të kësaj partie, Atdhe Arifi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti, të cilët akuzoheshin për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.
Gjykata vendoi që Krasniqi të dënohet me tetë vjet burgim, Atdhe Arifi me gjashtë vjet, Egzon Haliti me pesë vjet e gjashtë muaj, ndërsa Adea Batusha është dënuar me dy vjet burgim me kusht./SAKTE.NET