“Procesi i kompromentuar i dënimit të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Rezoluta nga debati parlamentar”, ishte tema e tryezës e organizuar sot nga kjo Lëvizje.
Kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka bërë një rezyme të të gjitha ngjarjeve që kanë ndodhur që nga viti 2016. Ai tha se më 19 nëntor të vitit të kaluar u mbajt balotazhi për zgjedhjet lokale në Kosovë, por vetëm dy ditë më herët Gjykata Themelore i dënoi aktivistët e VV-së me 21 vjet burg.
Sipas tij, të gjitha provat dhe dëshmitë e ofruara kanë vërtetuar atë që vazhdimisht e ka thënë Vetëvendosje e që është pafajësia e aktivistëve.
Kurti tha se i gjithë procesi është ndjekje politike.
Glauk Konjufca, kryetar i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se rastit të arkivistëve duhet t’i jepet një kontekst politik. Ai konsideron se rasti është i lidhur ngushtë me gjendjen politike në atë kohë.
“Pushtetit iu ka nevojitur një ngjarje për të inkriminuar opozitën. Argumenti i dytë është kapja e Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës është shumë e kapur, dhe pushteti mund të bëjë çfarëdo rasti. Edhe drejtësia është shume e kapur. Bash i njëjti gjyqtar e merr rastin e aktivistëve dhe të deputetëve. Beqir Kalludra është siguresë që rasti të shkojë siç do pushteti”, tha Konjufca, raporton Kosovapress.
Po ashtu, ai tha se tek ky aktgjykim ka pasur peshë vendimtare vdekja e Astrit Deharit.
Tomë Gashi, avokati i Frashër Krasniqit, ka përsëritur se ky është rast politik.
“Vrasja e Astrit Deharit ka qenë motivi kryesor që prokuroria me një shpejtësi të madhe i ka përmbyllur hetimet”, tha Gashi.
Ai tha se nuk ka parë asnjëherë gjykim më kontrovers dhe i shënuar në mënyrë skandaloze. Gashi në këtë tryezë tha se kanë siguruar një provë të re që shfajëson aktivistët e Vetëvendosjes por që nuk tregoi se për çfarë prove të re bëhet fjalë.
Sipas tij, e gjithë kjo ka qenë e mbështjellë me frikën e pushtetit për vrasjen e Astrit Deharit.