Dhimbja është ulur këmbëkryq në familjen Preka ku gati një javë më parë babai bashkë me tre fëmijët e tij humbi jetën në një aksident tragjik në aksin rrugor Shkodër- Velipojë.
E vetmja e mbijetuar nga familja Preka si pasojë e aksidentit të ndodhur të dielën e kaluar, është vetëm Evisa, e cila humbi të shoqin Edmond 40 vjeç, djalin Rajan vetëm 8 muajsh, dhe dy vajzat Ajsel 5 vjeçe dhe Noemi 10 vjeçe.
Pikërisht Noemi Preka shihej si mundësia e fundit e shpresës për familjen e dërrmuar nga fatkeqësia, por edhe ajo ndërroi jetë në spital, dy ditë pas të atit, motrës dhe vëllait.
Me serum në duar dhe e lidhur me aparatura, 36-vjeçarja Evisa Preka mësoi mbrëmjen e kësaj të shtune, lajmin e kobshëm për familjen e saj.
Dhe pikërisht pas këtij lajmi të kobshëm, vjen edhe një mesazh rrëqethës nga kunata e saj në rrjetin social Facebook. Gonxhe Preka i dedikon fjalë zemre vëllait, Edmondit, nipit dhe dy mbesave të saj.
“Një javë pa ju…O zoj e bekume mi mbaj në gjirin tënd. Ti kam besu ty o i madhi Zot. Unë ju kam në zemër, ju jetoni me mua brenda zemrës time deri në sekondin tim të fundit”, shkruan ajo./b.l/noa.al/