Lidhja Demokratike e Kosovës i ka paralajmëruar subjektet tjera politike se ajo është e gatshme për t’u futur në garën e re zgjedhore dhe e fuqishme për t’i fituar ato.
Në shënimin e 28-vjetorit të themelimit të Degës së LDK-së në Komunën e Gjilanit, nënkryetari i saj, Lufti Haziri, ka thënë se kjo parti shumë shpejt do të rikthehet në krye të qeverisjes për t’ua zënë vendin PDK-së dhe AAK-së, atyre që ai i ka quajtur partnerë të pushkëve, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Një LDK, e cila do të kthehet me një mbështetje të madhe qytetare. Shpresoj shumë se ky rikthim do të jetë shumë i shpejtë dhe i sigurt, sepse po shihet se si po qeveriset nga partnerët e pushkëve të mbledhura, se si qeveriset nga partnerët dhe njerëzit të cilët e kanë vetëm një kundërshtar në Kosovë, ajo është LDK-ja”, ka deklaruar Haziri të dielën, në manifestimin e organizuar në sallën e Teatrit të Qytetit në Gjilan.
Për partitë kryesore, ai ka thënë se nuk kanë kundërshtar tjetër përveç LDK-së.