Dhomat e Specializuara të Kosovës, ditë më parë publikuan listat e mbrojtësve për përfaqësimin e të dyshuarave, të akuzuarve dhe viktimave, ose të cilitdo personi tjetër që gëzon të drejtën e përfaqësimit juridik, në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Direktivën për Mbrojtësit.
Kjo listë përbëhet prej 40 juristëve që janë pranuar në Listat e Mbrojtësve dhe tashmë mund të përfaqësojnë të dyshuar, të akuzuar, një grup viktimash ose këdo tjetër që gëzon të drejtën e përfaqësimit juridik në procedurat para gjykatës.
Pjesë e kësaj liste janë avokatë të njohur në Kosovë, por ka edhe mbrojtës që janë shtetas të Kosovës por që jetojnë jashtë.
Në mesin 40 avokatëve mbrojtës 15 janë me shtetësi të Kosovës, 7 nga SHBA-të, 5 nga Britania e Madhe, 8 nga Serbia, një nga Holanda, 2 nga Kanadaja, një nga Mali i Zi dhe një nga Maqedonia.
Në mesin e avokatëve nga Kosova janë edhe avokatët Arianit Koci dhe Tahir Rrecaj.
Koci në një intervistë për emisionin “Përballje” ka treguar procedurat e përzgjedhjes së tij nga Gjykata Speciale.
“Kushtin e kam fituar dhe tashmë mbetet që të më angazhoj dikush prej klientëve në mënyrë private apo edhe sipas detyrës zyrtare, pra kush nuk ka mundësi me pagu avokatin gjykata e ka obligim me ja gjet avokatin”, ka thënë Koci, shkruan Telegrafi.
Koci ka theksuar se gjykata është funksionalizuar dhe se tashmë priten vetëm veprimet e Prokurorisë Speciale.
Ai tutje ka theksuar se ky proces nuk bënë më që të zvarritet.
“Nuk besoj që ka arsye që kjo mu zvarrit edhe më tutje, besoj që shpejt mund të ndodhin veprimet e para, mund të vijnë ftesat e para por edhe bastisjet e para”, u shpreh Koci.
Në anën tjetër avokati Tahir Rrecaj ka theksuar se ngritja e aktakuzave të para nga kjo gjykatë mund të ndodhin në verën më së largu vjeshtën e këtij viti.
“Gjatë verës së këtij viti eventualisht fillimi i vjeshtës së këtij viti Gjykata do të funksionalizohet, pasi që me akreditimin e avokatëve tashmë janë kryer të gjitha kërkesat e nevojshme që gjykata të jetë funksionale”, ka thënë Rrecaj.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. Dhomat përkojnë me çdo nivel të sistemit të gjykatave në Kosovë.
Ato u formuan në bazë të Amendamentit Kushtetues dhe Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës për gjykimin e pretendimeve të paraqitura në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare.
Dhomat janë të përkohshme dhe me mandat e juridiksion të përcaktuar, konkretisht për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera të përkufizuara në Ligjin e Kosovës, të cilat pretendohet se janë kryer midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000.
Ligji mundëson që proceset gjyqësore të mbahen jashtë Kosovës. Dhomat e Specializuara e kanë selinë në Hagë, Vendet e Ulëta (Holandë), dhe punësojnë gjykatës, prokuror dhe punonjës ndërkombëtare .