Ky është njeriu që vendosi rregull në Mitrovicë (Foto)

Për vetëm katër muaj mandat, Hysni Ahmeti, ose ‘Komandant Hysi’ siç njihet nga qytetarët, drejtor i Drejtorisë së Inspekcionit në Mitrovicë, ka arritur që pas shumë dekadave, për herë të parë të vendos rregull në qytetin e Mitrovicës, duke transformuar thellësisht dukuritë negative dhe duke bërë që gjithçka të funksionojë si duhet në fushën e inspekcionit.

Drejtoria me të cilën ai udhëheqë është bërë e vetmja që pas një periudhe të gjatë në këtë komunë, të zbatojë në mënyrë rigoroze ligjin për pirjen e duhanit në hapësirat publike, të ndalojë ndërtimet pa leje e të kthej rregullin, ligjin dhe cilësinë në ndërtim, të përmirësojë infrastrukturën lokale, të ndalojë uzurpimet dhe të menaxhojë pronën publike në dobi të qytetarëve, të vendos rend e rregull në tregun e gjelbër të qytetit dhe ekspozimit të mallrave para dyqaneve, të ndalojë prerësit ilegalë të kafshëve nëpër rrugë, të eliminoj dallimet, privilegjet, si dhe të largoj luksin dhe shpenzimet e kota të Drejtorisë së Inspekcionit.

Ai gjatë një bashkëbisedimi për KosovaPress, ka bërë të ditur se vetëm fal vendosmërisë dhe angazhimit maksimal të të gjithëve në Drejtorinë ë Inspekcionit, duke punuar edhe pas orarit të punës, është arritur që përveç sukseseve, të kthehet më në fund dinjiteti dhe autoriteti i inspektorëve tek qytetarët.

Sipas Ahmetit, gjendja e përgjithshme në qytetin e Mitrovicës para ardhjes së tij ka ngjarë në një kaos të vërtetë, por tani është vendosur rregull pothuajse në çdo segment.

Është bashkë me kolegët në çdo situatë, rrëfen ai, dhe kurrë nuk i lë vetëm, ndërsa thotë se nuk është kërcënuar asnjëherë deri tash dhe as që pret të ndodhë një gjë e tillë në të ardhmen.

Ai u shpreh jashtëzakonisht i lumtur për mbështetjen që po i japin qytetarët atij dhe inspektorëve në kryerjen e detyrave të tyre të punës.

“Kam arritur me pas një bashkëpunim me inspektorë dhe me ua kthy autoritetin së pari inspektorëve të cilin e kanë pasur të humbur në këtë drejtori. Fal angazhimit të tyre edhe pas orarit të punës, kemi arritur që të paktën si drejtori të konsolidohemi dhe të ecim përpara. Ka qenë punë e vështirë javën e parë pas marrjes së detyrës, por kam pasur vendosmërinë dhe punën time që të jem së bashku me ta edhe në terren. Kemi arritur që në qytetin e Mitrovicës gradualisht të përmirësojmë gjërat të cilat kohë më parë nuk kanë qenë si duhet. Pikën e parë kemi filluar me zbatimin e Ligjit të duhanit. Ka qenë një Ligj i aprovuar më 2013, i cili pjesërisht është zbatuar në qytetin e Mitrovicës, por që nuk ka zgjatur më shumë se një javë ose dy tre ditë… Ia kemi arritur, kemi pasur mirëkuptim edhe nga qytetarët, por edhe nga pronarët e lokaleve”, tha ai.

Ai tregon se ku janë fokusuat tash.

“Jemi duke punuar në rregullimin e tregut, kur e dimë që në qytetin e Mitrovicës të shtunave kur është ditë tregu ka qenë një kaos…Më e keqja ka qenë prerja e shtazëve në mënyrën më barbare. Në bisedë me ata persona kemi arritur t’i bindim se kjo mënyrë më nuk tolerohet. Kemi gjetur edhe përkrahjen e tyre dhe fatbardhësisht që një muaj e kemi ndalur edhe këtë dukuri…Kemi arritur shkallë-shkallë… të bëjmë lirimin e trotuareve, pika parë ka qenë lirimi i trotuareve për këmbësorë e jo ekspozimi I mallit në trotuar… Përveç ekspoziimit të mallrave kemi arritur që edhe mishtoret t’i kemi nën kontroll”, tha ai.

Ahmeti thotë se 19 pronarëve të parë të shtëpive veç ua kanë dërguar shkresat dhe kanë afat deri më 13 prill për ta bërë lirimin e pronave publike komunale, në të kundërtën do të intervenojnë në rrënimin e tyre.

“Kam dëgjuar prej inspektorëve që përpara kur kanë shkuar nëpër lokale të natës është dashur të intervenojë edhe Njësia speciale e policisë, mirëpo prej që kam ardhur unë, vërtetë në intervenime kanë qenë vetëm nga dy policë, kurse intervenimin e fundit që kemi pasur, ju kam thënë policisë se nuk kanë nevojë më me ardhë me neve…Me të vërtetë deri më sot akoma nuk kam hasur në ndonjë kërcënim dhe jam i bindur që as nuk do të hasi në diçka të tillë, sepse… qytetarët janë duke e përkrahur këtë punë të cilën jemi duke e bërë”, ka thënë Ahmeti.

Në anën tjetër, qytetarët, por edhe pronarët e dyqaneve, u shprehën të kënaqur përgjithësisht me rendin dhe rregullin që është krijuar muajt e fundit në qytetin e Mitrovicës.

Syrija Cana, pronar i mishtores ‘Cana’ në Mitrovicë, tha se kontrollet e shpeshta të inspektorëve shtynë ata që të jenë më të kujdesshëm dhe të punojnë më mirë.

“Sa më shpesh që vinë kontrollet ne punojmë edhe më mirë edhe më pastër, ata janë të kënaqur edhe ne duhet të jemi të kënaqur. Do të thotë, sa më shpesh që vinë, për neve më mirë sepse jemi më azhur”, theksoi Cana.

Ndërsa, kryeinspektori Ahmeti së bashku me punëtorët e tij gjatë ditës vizituan veç tjerash edhe disa lokale hoteliere për të shikuar nëse po respektohet Ligji mbi duhanin, qytetarët theksuan se është shumë më mirë që duhani nuk po pihet në hapësira të mbyllura.

Bujar Zeneli, tha se është mirë që duhani s’po pihet nëpër hapësira publike.

“Shumë më mirë që s’po pihet duhani këtu”, tha ai.

Edhe Përparim Berila, u shpreh se Ligji është mirë që po respektohet dhe duhani nuk po pihet në lokale.

“Shumë më mirë që s’po pihet duhani nëpër hapësira të mbyllura”, tha ai.

Ndryshe, drejtori Ahmeti tha në fund se është shumë i vendosur që të vazhdojë të punojë edhe në të ardhmen, ndërsa ligjet dhe rregulloret duhet të zbatohen patjetër.

...

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme