Të ftuar në emisionin InfoMagazinë në Klan Kosovë, analisti Artan Muhaxhiri tha se braktisja që Lista Sërbe ia bëri qeverisë, përbën një reagim ‘momental’ e ‘emocional’. Ai pret që serbët të kthehen në qeveri në ditët në vazhdim.
Këtij qëndrimi të çuditshëm iu bashkua edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili poashtu tha se reagimi i Listës Sërbe ishte emocional ndaj rastit në fjalë.
Ndërkohë që Arben Gashi, deputet i LDK-së, ka thënë se LDK-ja është e përgjegjshme t’i marrë detyrat që i takojnë për kuvendin dhe shoqërinë kosovare ndoshta duke nënkuptuar futjen e saj eventuale në Qeveri duke zëvendësuar Listën Sërbe.
Por, a mund të jetë reagimi i Listës Sërbe njëmend emocional? Është e zorshme të bësh një përshkrim të tillë, duke qenë se krerët e Listës Sërbe sot janë takuar me presidentin Vuçiq për reagimin që do të duhej të bënin për rastin në fjalë, shkruan Periskopi. Madje, është e zorshme të përfytyrohet ndonjë reagim përtej-politik, dmth thjesht emocional në një kontekst të tillë politik.