Ishte tetori i vitit 2011, kur një person i panjohur qëlloi për vdekje, Mark Kqiren, para shtëpisë së tij në Brekoc të Gjakovës.
Që nga atëherë, asnjë person nuk u dënua për këtë vrasje. Përkundër se tre ishin të dyshuar, hetimet ndaj tyre u mbyllen në vitin 2015. Por bashkëshortja e të ndjerit, Drita Kqira, është e bindur se vrasjen e ka kryer, Bekim Raja djali i axhës së saj.
Raja dhe Kqira kishin pasur edhe një përleshje fizike, verën e vitit 2011, dy maj para se të ndodhte vrasja. Shkak besohet të ketë qenë një borxh, që viktimës ia kishte pasur miku i tij.
Dyshimet e gruas dhe familjes së viktimës, se daja ua vrau babën, janë rritur edhe më shumë pas një video amatore të xhiruar diku në Zvicër, që është transmetuar në magazinën informative “Frontal” në T7.
Edhe dikush tjetër Rajen e ka akuzuar se ka porositur këtë vrasje. Gjon Pnishi, një i akuzuar për vrasjen e Ferdinand Gjinit, pasi u dënua me 18 vite burgim nga Gjykata Themelore e Pejës, tha se biznesmeni kosovar i njohur në Zvicër porositi vrasësit e 38 vjeçarit. Madje, sipas tij kjo nuk kishte qenë vrasja e parë që Raja pagoi të kryhej, duke e ndërlidhur edhe atentatin ndaj Mark Kqirës me të njëjtin person.
Për vrasjen e Gjinit, Gjykata Themelore e Pejës ka kërkuar ekstradimin e Rajes nga Zvicra, gjë që ka ndodhur javën e kaluar, kurse prokurori gjakovar, Agron Matjani, nuk po e rihap rastin edhe pse ka dëshmi të reja.
Madje, prokurori i rastit, ka refuzuar të flas sapo është informuar se për cilin rast është fjala.
Edhe pse fillimisht mori rrugën për në objektin e prokurorisë, gjatë muhabetit me ekipin e T7, siç shihet në këto pamje të xhiruar fshehtas, ai ndërroi destinacionin.
Çuditeshit, Matjani pranoi edhe vetë se është i bindur se Raja ka porositur vrasjen, por tha se nuk kishte arritur të dëshmohej.
Megjithatë prokurori i shtetit nuk e sheh ende të arsyeshme që të rihapë hetime për këtë vrasje.
Agron Matjani thotë se është në pritje, të rezultateve të hetimit që po zhvillohet në Pejë pas deklarimeve të një të akuzuari që e bën përgjegjës Rajen për dy vrasje.
Se mund të ndodhë kjo vrasje, Drita Kqira, thotë se burri i saj ishte paralajmëruar.
Për thirrjen kërcënuese që kishte marrë viktima, një ditë pas rrahjes fizike, hetuesisë kosovare, në vitin 2012, u kishte dhënë deklaratë edhe shoku i tij Martin Berisha.
Ai u kishte sqaruar hetuesve për fjalët që pretendon se Raja i kishte përcjellë Kqirës, pasi ai thotë se ishte përgjigjur në telefonin e mikut të tij tashmë të vdekur.
Drita nënë e tri vajzave, nga dhimbja, e ka të pamundur ta shpjegojë ngjarjen por ajo kujton një moment nga nata tragjike, kur vrasësin u ndesh para derës së shtëpisë së saj.
Historinë e konfliktit në mes të Mark Kqires dhe Bekim Rajes, e sqaron motra e viktimës.
Akuza për dajën e tyre kishin dhënë edhe vajzat e viktimës.
Akuzat e ngjashme si kishte kursyer as Ferdinand Gjini, sa ishte gjallë.
“Me sa di unë Mark Kqira nuk ka pasur mosmarrëveshje tjetër me asnjë person pos me Bekim Rajen”, kishte thënë ai.
Ferdinand Gjini u vra tre vite pas, qershorin e vitit 2014. Sot Bekim Raja bashkë me 4 të dyshuar tjerë ndodhen në paraburgim për vrasjen e tij, e cila dyshohet se u krye pasi Gjini kishte ndihmuar Mark Kqiren për ta rrahur biznesmenin gjakovar që u ekstradua nga Zvicra.
Nga ana tjetër, Bekim Raja, në deklaratën e tij të parë dhënë në Zvicër, dy ditë pas vrasjes së Mark Kqirës, ka mohuar kategorikisht se ka të bëjë me vrasjen e dhëndrit të familjes së tij.
“Ju betohem që nuk kam patur lidhje me këtë vrasje”.
“Kur isha rrugës në Zvicër, më telefoni babai im dhe më tha se ishte vrarë Mark Kqira”.
Të njëjtën e kishte thënë edhe para autoriteteve kosovare në nëntor të 2014.
“Kurrë nuk është e vërtetë”, ishte zotuar Bekim Raja.
Ai, prokurorit kosovarë i kishte folur edhe për raportet e tij me gruan e viktimës që e quan motër.
“Une nuk e di, kam qef me dal në drit, ta dinë motra se vllau nuk ka qenë”.
Por Drita e beson të kundërtën.
Bekim Raja ishte arrestuar verën e shkuar në Zvicër, pas kërkesës së Kosovës për ekstradim të tij, si i dyshuar për vrasjen e Ferdinand Gjnit. Ekstradimi i tij dhe të dyshuarit tjetër për këtë vrasje, Leonard Pnishi ndodhi javën e shkuar dhe të dy tash janë në paraburgim në Kosovë.
Biznesmeni kosovar që merret me patundshmëri në Zvicër, në vitin 2015, bashkë me gruan e tij ishin dënuar edhe nga një gjykatë e Qarkut në Aarau, për mashtrim të shumëfishtë.
Para Rajes dhe Pnishit, policia vitin e shkuar kishte arrestuar edhe dy persona tjerë nga Deçani, të cilët dyshohen se janë persona që u paguan për të shtënë në viktimën Ferdinand Gjini. /Frontal/T7/.