Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, ka folur dje në seminarin e 93-të “Rose-Roth”, organizuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-së, në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, në temën: “Dialogu Kosovë-Serbi, lëvizja përtej rrugëve të bllokuara”. Ky sesion u moderua nga Frank van KAPPEN, zëvendëskryesues i Komisionit të Asamblesë së Përgjithshme të NATO-së për Ekonomi dhe Siguri.
Në fillim të fjalës ministrja Tahiri i falënderoi organizatorët për ftesën që të jetë folëse në këtë seminar, ajo shtoi që është hera e tretë që merr pjesë në organizimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-së dhe evokoi kujtimet nga takimi i vitit 1998 me njërin nga themeluesit e tij, Bill Roth, i cili në vitin 1998 ishte Kryetar i Asamblesë Parlamentare të NATO-së.
Ajo tha se me Senatorin amerikan Roth ishte takuar në Barcelonë gjatë punimeve të Asamblesë Parlamentare të NATO ku si Ministre e jashtme e Kosovës ishte ftuar të mbajë fjalim në Komitetin për siguri të Asamblesë Parlamentare të NATO-së.
Gjatë takimit tonë kërkova mbështetjen për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe nevojën urgjente të ndërhyrjes së NATO-së. Senatori Roth më dëgjoi me kujdes dhe më tha a edhe pavarësinë edhe NATO-në po e kërkoni? Unë ju përgjigja me rëndësi NATO të ndërhyjë të ndal luftën, pastaj pavarësi vjen rrjedhimisht, theksoi Tahiri.
Ministrja Tahiri po ashtu tregoi për përvojën e sajë personale me Seminarin Rose-Roth, që ka një një lidhje interesante me historinë e pavarësisë së Kosovës.
Ajo tha se është hera e tretë që merr pjesë në seminaret Rose-Roth. Herën e parë tregoi se mori pjesë në një seminar të tillë të zhvilluar në Ohër të Maqedonisë në vitin 1998 kur Kosova po e zhvillonte luftën e saj për çlirim, herën e dytë tha se ishte në seminarin e zhvilluar në Tiranë në vitin 2000, kur Kosova tashmë ishte çliruar dhe tash po merr pjesë në 2016-ën në një Kosovë të pavarur me vizion euroatlantik.
“Shpresoj që herën tjetër kur të marr pjesë në këtë seminar, Kosova të jetë pjesë e NATO-s,” tha Tahiri.
Duke folur në kontekst të marrëdhënieve në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor, ministrja Tahiri u fokusua tek rëndësia e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, ajo tha se kjo njohje do të bëhet një bazë edhe për krijimin e marrëdhënieve paqësore në mes të dy popujve, shqiptarëve dhe serbëve, mirëpo ky model, jo vetëm dialogu i Brukselit por edhe njohja e realitetit do të duhej të ishte model edhe për të hequr gjërat që kanë mbetur hapur në mes të Serbisë dhe Bosnjës, ngase ka ndërhyrje të herë-pas-hershme të Serbisë në Bosnjë, pastaj e kemi çështjen e emrit të kontestuar në mes të Maqedonisë dhe Greqisë, dhe në përgjithësi kemi punë të gjithë në rajon që t’i bëjmë reformat e duhura evropiane dhe euroatlantike në mënyrë që sa më shpejtë i gjithë rajoni të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-së.