Ish kryeshefi i policisë maqedonase Lubomir Gjurçeski vlerëson se deri më tani ministri i Brendshëm Oliver Spasovski është dashur ta suspendojë nga puna drejtorin e Byrosë për siguri publike, paraardhësin e tij Mitko Çavkov dhe zëvendsministrin aktual Oliver Andonov.
Spasovski ka kompetenca të këtilla. Vetëm në këtë mënyrë do të sigurohen kushte që Prokuroria Speciale ta zbatojë urdhrin gjyqësor pa u penguar dhe t’i marrë të gjitha provat e nevojshme nga policia sekrete, raporton Alsat.
“Ministri i brendshëm duhej menjëherë t’i suspendojë të gjithë ata që përpiqen në cilëndo mënyrë të pengojnë zbatimin e urdhrit gjyqësor ose të bëjnë vepra penale, ose shkelje lidhur me zbatimin e urdhrit gjyqësor”, tha Gjurçeski.
Ish-kryeshefi i në MPB dyshon se në kohën derisa nuk ka hetues të Prokurorisë Speciale, në DSK mund të bëhen keqpërdorime. Sipas tij, tani mundet që DSK-ja t’i fshehë gjurmët se në Maqedoni është bërë përgjim i paligjshëm edhe pas publikimit të bombave nga opozita.
“E gjithë ajo që nuk duhej të zbulohet në procedurë, e ajo është se në DSK edhe më tej zbatohen masa të caktuara pa urdhër nga gjyqi, gjegjësisht janë përgjuar persona pa lejen e gjyqit dhe për ta mbuluar këtë me këmbëngulje kërkonin që Prokuroria Speciale të jetë jashtë që të munden të përmirësojnë ose të fshijnë të dhëna”, deklaroi Lubomir Gjurçeski, ish kryeshef në MPB.
Gjorçeski sqaron se janë të pasakta deklaratat e drejtorit të Byrosë se me marrjen e materialeve nga policia sekrete rrënohet siguria e shtetit. Ai pyet nëse kjo është kështu, përse nuk është mbledhur Këshilli i Sigurisë kombëtare.
“Nëse vërtetë është rrezikuar siguria kombëtare siç pohonin kolegët në DSK dhe Byronë e Sigurisë Publike, kryetari i shtetit menjëherë duhet ta thirr Këshillin e Sigurisë Kombetare”, u shpreh Lubomir Gjurçeski, ish kryeshef në MPB.
Ministri i brendshëm Oliver Spasovski e siguroi Prokurorinë Speciale se edhe pse nuk ka përfaqësues të tyre në policinë sekrete, se provat do të jenë të sigurta./Alsat