Gjatë implementimit të planit “Stop drogave nëpër shkolla”, policia e Kosovës më 29 mars 2018 ka arrestuar tre persona në fshatin Miradi e Epërme në Fushë Kosovë.
B.L., A.G., dhe A.G. janë arrestuar për përfshirje në veprat penale ‘blerje, posedim, shitje ose shpërndarje e paautorizuar e substancave narkotike’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se përpos që ka konfiskuar 8.525 kilogramë marihuanë, ka konfiskuar edhe dëshmi të tjera në shtëpinë e të dyshuarit B.L.
Aty janë konfiskuar:
• revole ngjyrë e zezë model Zoraki MO2 914-B me një karikator dhe 6 fishekë të kalibrit 7.62 mm
• revole ngjyrë e zezë model M-906 –B pa karikator dhe pa fishek
• revole e llojit Ekol Special ngjyrë e zezë me një karikator dhe 7 fishekë të kalibrit 7.62 mm
• njëzet e shtatë (27) fishekë të kalibrit 7.62 mm
• një sprej OC me mbishkrim NATO ngjyrë e gjelbër
• 4 paketime të formave dhe madhësive të ndryshme me narkotikë të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme prej 312.5 gramë
• një ambalazh plastik mbushur me pluhur ngjyrë të bardhë e dyshuar si narkotikë të llojit kokainë me peshë të përgjithshme prej 98.7 gramë me mbështjellës
• një peshore digjitale ngjyrë e zezë model SCALE dhe 350 qese të zbrazura plastike, për paketimin e substancës narkotike gjatë shpërndarjes.
• një mulli që përdoret për bluarjen e narkotikëve.
Nga personat e dyshuar janë konfiskuar dy veturat e përdoruara në rast, 4 telefona celularë dhe 690 euro para të gatshme.
Bazuar në hetimet e realizuar prejardhja e substancës narkotike ishte nga Shqipëria dhe për destinacion kishte Prishtinën, thuhet në njoftim.
Të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Policia e Kosovës mbetet fuqishëm e përkushtuar për luftimin e trafikimit me substanca narkotike dhe rikonfirmon se masa rigoroze do të zbatohen ndaj të gjithë personave të dyshuar të involvuar në veprime të tilla të kundërligjshme.
© KOHA.