E martë, 25 Tetor 2016 – Sakte.net
Lista Serbe, e cila në Kuvendin e Kosovës përfaqësohet me 11 deputetë, është duke e mbajtur nën bllokadë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.
Kështu thonë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, duke konstatuar se ky subjekt politik, që përfaqëson komunitetin serb, nuk ka dhënë pëlqimin për votën e tij në mbështetje të Forcave të Armatosura të Kosovës.
Për themelimin e Forcave të Armatosura është i nevojshëm një ndryshim kushtetues, i cili, sipas ekspertëve, mund të bëhet vetëm nëse sigurohet edhe mbështetja prej dy të tretave të votave të komuniteteve pakicë.
Aktualisht, Forca e Sigurisë së Kosovës besohet se i ka plotësuar standardet e parapara që të shndërrohet në Ushtri, përkatësisht në Forca të Armatosura, duke marrë përsipër edhe mbrojtjen e sovranitetit dhe territorit të vendit.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ka thënë në një prononcim për Radion Evropa e Lirë se FSK-ja tashmë ka realizuar gjithë programin e saj dhe është e gatshme për transformim të mëtejmë.
Sipas tij, për transformimin e FSK-së janë bërë plane me faktorët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, ku është konstatuar se janë krijuar kapacitetet për shndërrim në ushtri.
“Ne jemi të gatshëm, por jemi në pritje të vendimmarrjes politike. Ajo çka tanimë është e ditur është se deputetët e komunitetit serb, të cilët janë në Kuvendin e Kosovës, nuk kanë shprehur ende gatishmërinë e tyre, por mendoj që me zhvillimet politike dhe me bashkë bisedimet, respektivisht me qasjen pro-aktive ndaj tyre, ne do ta kemi edhe votën e tyre”, thotë Demolli.
Megjithatë, ministri Haki Demolli mendon se procesi i transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura nuk do të mund të ndalet nga askush.
“Kosova do t’i ketë forcat e armatosura të veta, sepse kështu është e paraparë edhe me pakon e Ahtisari, po kështu është edhe një rekomandim konkret që ka dal nga rishqyrtimi i strategjisë së sektorit të sigurisë”, thekson Demolli.
Formimi i këtyre forcave, megjithatë, nuk e mbështesin deputetët e Listës Serbe, grupi parlamentar i të cilëve numëron 11 deputetë.
Ata, aktualisht, e kanë “ngrirë” pjesëmarrjen e tyre në institucionet e Kosovës, në Kuvend dhe në Qeveri, për shkak të miratimit të Ligjit për Trepçën. Sipas tyre, me këtë ligj nuk janë respektuar interesat vitale të popullit serb.
Nenad Rashiq, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, thotë se pas asaj që ka ndodhur me Trepçën, në këtë moment nuk ekziston ‘hapësirë manovruese brenda koalicionit dhe marrëveshjes për koalicion’, për çfarëdo bisedimesh për Forcat e Armatosura të Kosovës.
“Ne, madje nuk kemi bërë asgjë lidhur me temat të cilat i kemi prekur më herët dhe kulminacioni erdhi me Ligjin për Trepçën. Në këtë moment, unë nuk shoh asnjë hapësirë për çfarëdo bisedimesh për krijimin e ushtrisë ose çfarëdo tjetër”.
“Do të ishte iluzion të besohet që tash është koha për çfarëdo inicimi të kësaj çështjeje, sepse ne nuk po mund të merremi vesh rreth çështjeve që janë ashtu, formulative apo që kanë reflektuar kinse si mjaft të thjeshta dhe më të lehta për tu marrë vesh, e jo për temat serioze. Prandaj, në këtë moment ka vërtetë pak hapësirë që të bisedohet çfarëdo qoftë për këtë”, ka thënë Rashiq.
Nga ana tjetër, deputeti Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se nuk duhet të pritet më që çështja e Ushtrisë së Kosovës të zvarritet.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të bisedojë me Listën Serbe dhe në rast se ata nuk kanë dëshirë të votojnë në procesin e plotësim ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës, atëherë duhet të shkohet në mundësinë e dytë për votimin e një ligji nga Kuvendi për formimin e ushtrisë.
“Beogradi po manipulon me Listën Serbe dhe përmes Listës Serbe po e kushtëzon Qeverinë e Kosovës. Prapë se prapë, unë mendoj se kapacitetet e FKS-së sot janë të një strukture të mirë organizative. Kanë kapacitete të plota.”
“Por, krejt çka kërkohet është ndërrimi i misionit. Për ndërrimin e misionit natyrisht që kërkohen ndërrimet kushtetuese, por nëse ne nuk kemi një marrëveshje me Listën Serbe për të marrë nga ta besimin (mbështetjen), atëherë ne duhet të votojmë një ligj të thjeshtë, i cili i mundëson kapacitete të plota dhe detyra të reja FSK-së”, tha Haradinaj.
Pa mbështetjen e dy të tretave të deputetëve të bashkësive pakicë, është e pamundur që të miratohen ndryshimet kushtetuese, të cilat do t’i hapnin rrugë formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.
Këto forca, sipas ekspertëve të çështjeve ushtarake dhe sigurisë, do të formohen gradualisht dhe nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e plotë të NATO-s brenda 5 deri 10 vjetët e ardhshëm, ngjashëm siç ka ndodhur edhe me Forcat e Sigurisë së Kosovës.
Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës pritet të prezantohet në Kuvend nga Qeveria, nëpërmjet projektligjit që përcakton ndryshimet e nevojshme ligjore, të cilat do të diktojnë edhe nevojën e ndryshimeve kushtetuese.
Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë pasardhëse të Forcave të Sigurisë së Kosovës, të cilat kanë më shumë kompetenca të ndërhyrjeve emergjente sesa ushtarake.
Forcat e Armatosura mund të themelohen nën mbikëqyrjen e NATO-s, me numër të caktuar ushtarësh dhe me armatim dhe pajisje të përcaktuara në marrëveshje me NATO-n. (REL)