Ish-Kryetari i Klinës, Ismet Rraci u vra më 23 prill të vitit 2001, dy vite pas përfundimit te luftës.
Ismet Rraci, kryetar i degës së LDK-së njëherësh edhe kryetar i Komunës së Klinës, themelues i LDK-së, ishte vrare pranë banesës së tij deri sa po vinte në punë nga persona që akoma mbesin të panjohur.
I biri i Ismetit, Astriti Rraci kishte thënë se në vrasjen e babait kishin dorë edhe elementë të krimit në Shërbimin Policor të Kosovës. Kishte kërkuar nga EULEX’i t’i rihapte hetimet. Veç kësaj, kishte treguar se se në një tubim zgjedhor të LDK’së në Klinë, në vitin 2000, në prani të policisë që mbante rendin, ishte hedhur një bombë, dhe për këtë nuk ishte arrestuar askush.
Pas vrasjes së Rracit kishte folur edhe Ibrahim Rugova, atëkohë, Kryetar i LDK’se dhe i Kosovës. Kishte thënë se vrasja e Rracit kishte lidhje me fitoren e LDK’së në zgjedhjet e vitit 2000 kur kishte mundur partitë tjera.
“Vrasja e Ismet Rracit është vrasja më e rëndë për të gjithë ne, pas vrasjes së Xhemajl Mustafës, në nëntor të vitit të kaluar. Njëherësh, kjo është vrasje e drejtuar kundër pushtetit demokratik të dalë nga zgjedhjet lokale të vitit të kaluar. Kjo vrasje bëhet nga ata që nuk e duan vendosjen e rendit demokratik në Kosovë. Do thënë se, poashtu, vrasja e Rracit u bë në kohën kur ka filluar të funksionojë pushteti demokratik komunal dhe në kohën kur po përgatitemi për organizimin e zgjedhjeve nacionale, presidenciale e parlamentare, që do të jenë të rëndësishme për Kosovën dhe popullin e saj. Të gjithë ata që bëjnë akte të tilla vrastare janë kundër pavarësisë së Kosovës, e cila është përcaktim i popullit të Kosovës”, kishte thënë Rugova.
LDK: Kërkojmë drejtësi për Ismet Rracin dhe veprimtarët tjerë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka kujtuar sot ish kryetarin e Klinës, Ismet Rraci. Në këtë përkujtim, LDK thotë se vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për vrasjen e Rracit dhe veprimtarëve tjerë.
“Nën organizimin e kryetarit të Degës së LDK-së në Klinë, z. Fadil Gashi homazhe kanë bërë te varri i tij në Siqevë dhe para bustit të tij, në emër të kryesisë së LDK-së, z. Gazmend Muhaxheri, deputetja e Kuvendit të Kosovës znj. Mirjeta Kalludra dhe Drejtori i Administratës së LDK-së, z. Selver Doda, e bashkë me ta edhe familjarë dhe qytetarë të Klinës”, njofton LDK shkruan Periskopi.
“Ismet Rraci ishte një ndër themeluesit e LDK-së dhe mik i ish-Presidentit Rugova. Vrasja e tij ishte e rëndë jo vetëm për familjarët por edhe për gjithë qytetarët e Klinës dhe Kosovës. Ismet Rraci ishte gjithmonë afër qytetarëve të tij, pavarësisht kohës së vështirë dhe rrethanave të tilla, atë e vranë në mënyrë tinzare sepse iu shërbente qytetarëve të Klinës në përpjekje për t’ua bërë jetën më dinjitoze”, thuhet në njoftimin e LDK’së.
LDK thotë se vazhdon të kërkojë drejtësi për vrasjen e Ismet Rracit dhe ‘veprimtarëve tjerë të LDK’së’.
Rraci do të mbahet mend për guximin intelektual dhe qytetar në shërbim të qytetarëve të Komunës së Klinës dhe atdheut. Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të kërkoj drejtësi për vrasjen e Ismet Rracit dhe të gjithë veprimtarëve të tjerë.