Zëvendëskryeministri i Maqedonisë për çështje evropiane, Bujar Osmani ka deklaruar se do të gjejnë rrugë alternative për zbatimin e Ligjit për Gjuhët, përkundër që kjo nuk ka gjetur mbështetjen e presidentit maqedonas, Gjorge Ivanov, për të cilin thotë se nuk po e luan rolin e tij të pajtimit ndërmjet etnive.
Në “Express Intervistën” në KTV, Osmani ka thënë se Ligji për Gjuhët do të zbatohet pasi ky është vullneti i shumicës.
“Ligji për Gjuhët ka qenë një parakusht i rëndësishëm. Ashtu sa ishte i rëndësishëm edhe çështja e emrit ishte edhe çështja e gjuhëve. Presidenti nuk e ka luajtur rolin e tij, të kohezionit, lidhjes ndërmjet etnive në këto dhjetë vjet të mandatit të tij, e as në këto muajt e fundit që i kanë mbetur nuk ka reflektuar. Megjithatë, ky është vullnet i shumicës, pasi tre herë shumica e ka kaluar këtë ligj në Kuvend. Mendoj se nuk do të presim që të vijë presidenti i ri, pasi do të gjejmë një mënyrë alternative për ta përfunduar këtë çështje”, ka thënë Osmani.
Ai thotë se ky ligj nuk është pritur mirë nga maqedonasit, por është optimist se ata do ta kuptojnë se kjo nuk e dëmton asgjë gjuhën maqedonase. Osmani ka theksuar se duhet edhe ndihma e Kosovës dhe Shqipërisë në mënyrë që të instalohet shqipja standarde.
“Është mirë që në fillim të instalohet gjuha shqipe standarde. Për këtë do të duhet bashkëpunim me Kosovën e Shqipërinë, për të rregulluar këtë çështje të gjuhës shqipe. Ende jo pozitivisht nuk është pranuar nga maqedonasit, pasi është keqkuptuar. Por, përdorimi i gjuhës shqipe nuk rrezikon gjuhën maqedonase”, ka deklaruar Osmani në “Express Intervistën”.
Osmani thotë se bashkëpunimet rajonale janë e vetmja perspektivë e inkuadrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
“Diskutuam për perspektivën evropiane të rajonit dhe të gjitha bisedimet janë të mira. Ky vit është vërtet i veçantë pasi ofron dritare të reja për Ballkanin. Duhet të shfrytëzojmë këtë klimë pozitive dhe këtë fokus të BE-së. BE ka kuptuar se investimi në Ballkan është pozitiv për të gjitha palët. BE-ja është partneri i natyrshëm i Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.
Osmani ka folur edhe për Kosovën, për të cilën thotë se është në rrugën e duhur, por që sipas tij, Kosova përballet me disa probleme të tjera.
“Kosova ka vështirësitë e veta, çoftë nga shtetet që se njohin ose kontestet me Serbinë. Por, Kosova është në rrugë të duhur. Raportet duhet të jenë negative, pasi ato duhet të jenë udhërrëfyese. Ky raport u jep hapësirë për krahasim ndërmjet vendeve. Në progresin ekonomike Kosova e Serbia janë më mirë, e Maqedonia për diçka tjetër, varet se çfarë vendet kishin në fokus. Prandaj nuk është bardh e zi situata. Ky nuk është projekt i qeverisë, por është projekt i shoqërisë”, është shprehur Osmani.
Osmani thotë se Kosova ka bërë punë të mahnitshme dhe ka shtuar presionin ndaj Qeverisë së Maqedonisë sa i përket rrugës që lidh Shkupin me Bllacën.
Ai thotë se, “Kosova është tregu më i përshtatshëm i shtetit të Maqedonisë, dhe jo i popullatës shqiptare atje”.
Osmani më tutje ka thënë se duan hetime kredibile për të qartësuar gjithçka rreth rastit të Kumanovës.
“Jemi shumë të interesuar që të ketë hetime kredibile në rastin e Kumanovës. Dhe jemi të interesuar që kjo të qartësohet deri në detaje. Kemi kërkuar që kjo të bëhet nga komuniteti ndërkombëtar. Nuk ka disponim negativ në këtë aspekt, duam të gjithë se kjo çështje të zbardhet, e edhe Kosova e dëshiron këtë”, thotë ai.
Osmani ka deklaruar se është i pakthyeshëm procesi me Greqinë.
“Mendoj se kemi arritur në një pikë të pakthyeshme të procesit me Greqinë, dhe duhet të mbyllim këtë çështje për t’u bërë të dyja shtetet pjesë e NATO-s por sa më afër që jemi mbylljes së kësaj çështje aq më tepër pengesa kemi. Por, i gjithë rajoni duhet të jemi nën ombrellën e kësaj sigurie”, thotë ai.