Një delegacion i Komisionit Evropian nesër do të arrijë në Kosovë për të vlerësuar nëse është përmbushur kriteri i fundit për liberalizim të vizave, përkatësisht luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pas kësaj vizite, muajin tjetër pritet të hartohet një raport (rekomandim) për heqjen ose jo të vizave me Bashkimin Evropian
Puna e bërë nga institucionet e Kosovës në drejtim të liberalizimit të vizave pritet të vlerësohet shumë shpejt nga mekanizmat e Bashkimit Evropian.
Kjo pasi që gjatë ditës së nesërme (3 maj) pritet që në Kosovë të vijë një delegacion i nivelit teknik i Komisionit Evropian, i cili do të pajiset me të dhëna mbi atë se sa është punuar në drejtim të përmbushjes së kriterit të fundit, luftës ndaj krimit të organizuar e korrupsionit.
Si rrjedhojë e kësaj, gjatë muajit qershor pritet që të hartohet një raport (rekomandim) për heqjen ose jo të vizave për Kosovën.
Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri është shprehur i bindur se Kosova do ta marrë një vlerësim pozitiv sa i përket kësaj çështjeje, pasi sipas tij, është punuar dukshëm në këtë drejtim.
Njëjtë ka pohuar edhe ish-ministrja e Integrimit Evropian Mimoza Ahmetaj, e cila për “Zërin” ka vlerësuar se deri në fund të këtij viti qytetarët do të mundë të lëvizin lirshëm.