Dalin pamjet e arrestimit të ish-drejtorit të prokurimit në Komunën e Gjilanit, i cili bashkë me djalin e tij dyshohen se kanë sulmuar fizikisht një polic në Gjykatën Themelore të Gjilanit, për të cilin sot ishte caktuar të mbahej seancë.
Ish-drejtori Kçiku dhe djali i tij ishin nisur sot për në Gjykatë pasi kishte një seancë gjyqësore kundër tij. Pas një fjalosjeje, djali i ish-drejtorit e ka sulmuar fizikisht policin.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
“Ka ndodh një incident të oborrin e Gjykatës Themelore në Gjilan ku është sulmuar një pjesëtar i policisë së Kosovës, ndërsa i dyshimti, shtetas shqiptar i Republikës së Kosovës është arrestuar dhe është duke u marrë në pyetje nga policia në Gjilan”, ka thënë Hashani.
Për më tepër ish-drejtori i Prokurimit në Gjilan Salih Kçiku në janar të këtij viti është ngritur aktakuzë ndaj tij për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në aktakuzën të cilën e ka siguruar jepet arsyetimi se “gjatë vitit 2014 në Gjilan, në cilësinë e personit zyrtar si drejtor i Drejtorisë së Prokurimit në Komunën e Gjilanit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër, duke punësuar dy familjarë të vet, në atë mënyrë që ka vendosur një OJQ “Psikoterapeutët në Veprim”, në zyrën e arkivit të Drejtorisë së Prokurimit, e cila gjendet tek Qendra e Inkubatorit të Biznesit në Gjilan, në të cilën zyrë kanë qenë të vendosura dosje të tenderëve, e ndër të tjera edhe dosja e tenderit me dy raportet e vlerësimit të aseteve fikse dhe detyrimeve qarkulluese të KRM “Higjiena” në Gjilan, e të cilat zyrtarët policorë nuk kanë mundur t’i gjejnë, e ku rezultojnë të asgjësuara, e ku në të njëjtën OJQ, i pandehuri ka punësuar vajzën Antigona Kqikun dhe mbesën Naime Bunjaku”.
Me këto veprime, sipas aktakuzës, ish-drejtori Kçiku ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.