Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mirëpret rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës nga Komisioni Evropian, dhe vlerëson se kjo është dëshmi e ecjes drejtë integrimit të plotë të vendit tonë në strukturat euroatlantike.
Kjo shpreh edhe një herë përcaktimin e gjithë kosovarëve për një të ardhme euroatlantike, duke praktikuar vlerat demokratike civilizuese perëndimore.
“Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Qeveria e Republikës së Kosovës janë koshient për faktin se në rrugën e Kosovës drejt integrimit të plotë, ka punë për të bërë dhe sfida, për të cilat do të ketë angazhim konkret, institucional dhe nga e gjithë shoqëria. Ky angazhim për të përmbushur kriteret që na ofrojnë me vendet e zhvilluara evropiane do të vazhdojë. Ndërtimi i shoqërisë demokratike, të qëndrueshme, të zhvilluar dhe me mirëqenie të qytetarëve, është synim i vazhdueshëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.
Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Qeveria shprehin bindjen se qytetarët dhe institucionet e Kosovës do të dinë të vlerësojnë drejtë dhe të respektojnë vendimet dhe rregullat e institucioneve evropiane për lëvizje të lirë. Në këtë drejtim, ne garantojmë mbështetje institucionale për respektimin e kritereve, rregullave dhe procedurave që lidhen me këtë rekomandim të Komisionit Evropian.
Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Qeveria e Kosovës presin që ky rekomandim do të marr mbështetjen edhe nga Parlamenti Evropian dhe nga Këshilli i Ministrave, në mënyrë që lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në vendet evropiane të bëhet realitet deri në fund të këtij viti.