Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur përfaqësuesit e Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë, me të cilët ka bashkëbiseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy popujve dhe shteteve.
Presidenti ka falënderuar përfaqësuesit e kësaj shoqate për iniciativën e themelimit të saj dhe kontributin e pazëvendësueshëm që ajo ka dhënë në krijimin e lidhjeve të forta ndërmjet shteteve.
Ai e ka vlerësuar lart rolin e Austrisë në procesin e pavarësimit dhe të shtetndërtimit të Kosovës.
“Në botë, Austria është një prej shteteve më përkrahëse për ne. Kurse, brenda vendit një kontribuuese shumë e madhe me investime në arsim, bujqësi e energjetikë. Shoqata e Miqësisë Austri-Kosovë është e re, por ajo i ka dhënë edhe më shumë frymë miqësisë sonë të vjetër me shekuj”, ka thënë presidenti Thaçi.
Thaçi ka folur edhe për procesin e integrimeve euroatlantike dhe mbështetjen që shteti austriak i ka dhënë Kosovës.
Ai ka thënë se Kosova po vazhdon me sukses reformat në ekonomi, në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në sundimin e ligjit.
Presidenti Thaçi është përgjigjur edhe në interesimin e anëtarëve të shoqatës për gjendjen e sigurisë në Kosovë, për sistemin e arsimit dhe atë të shëndetësisë.
Presidenti ka thënë se Kosova ka qenë shumë aktive kundër ekstremizmit fetar, kundër radikalizmit dhe terrorizmit.
“Kemi nxjerrë ligjin që parandalon shkuarjen e njerëzve në luftëra jashtë vendit. Gjithashtu, kemi qenë shumë të vendosur që njerëzit që kanë nxitur dhunë apo që promovojnë dhunë, urrejtje dhe që kanë shkuar në Siri e Irak, të ballafaqohen me drejtësinë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Si një sfidë tjetër jo vetëm për Kosovën, por për krejt rajonin, presidenti Thaçi ka thënë se mbetet tendenca e shtrirjes së ndikimit rus në rajon.
Gjithashtu, presidenti Thaçi ka folur edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Do të mund të arrihet edhe një marrëveshje e fqinjësisë së mirë të bashkëpunimit, por edhe e pajtimit mes shteteve. Unë besoj se kjo marrëveshje mund të arrihet dhe do të arrihet”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë, Lukas Mandl, ka falënderuar presidentin Thaçi për angazhimin e tij personal për krijimin e kësaj shoqate.