E enjte, 03 Nentor 2016 – Sakte.net /
Sinjalet për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në pranverën e vitit tjetër kanë shtyrë partitë politike të mendojnë për koalicione parazgjedhore. AAK-ja dhe “Nisma” kanë konfirmuar se do të garojnë së bashku në zgjedhje, përderisa përfaqësuesit e partive të tjera deklarohen se janë të gatshme për koalicione nëse vendoset definitivisht që vendi të shkojë në zgjedhje
Partitë politike në Kosovë kanë filluar të përgatiten për zgjedhje të parakohshme pas sinjaleve se në pranverën e ardhshme qytetarët do të mundë t’u drejtohen kutive të votimit.
Disa prej partive parlamentare i kanë gati koalicionet parazgjedhore, disa të tjera shprehen të gatshme të punojnë në atë drejtim, po qe se do të vendoset që zgjedhjet të mbahen para kohe.
Dy partitë parlamentare nga radhët e opozitës, AAK-ja dhe Nisma, konfirmojnë për “Zërin” se do të garojnë së bashku në zgjedhje, përderisa partitë më të mëdha, përpos deklaratave se janë të hapura për koalicione, thonë se ende nuk e kanë shqyrtuar një mundësi të tillë.
Në PDK thonë se ende nuk e kanë shqyrtuar çështjen e koalicioneve, ndonëse në zgjedhjet e fundit kanë garuar bashkë me disa subjekte politike më të vogla, ndërsa në LDK thonë se janë të hapur për koalicion parazgjedhor.
Kreu i partisë më të madhe në vend, Kadri Veseli, së fundmi disa herë ka deklaruar se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme nëse subjektet politike arrijnë marrëveshje për një gjë të tillë.
Edhe opozita është pro zgjedhjeve të parakohshme, derisa partia e kryeministrit Isa Mustafa (LDK) ka mohuar se vendi do të shkojë në zgjedhje para qershorit 2018.