E enjte, 03 Nentor 2016 – Sakte.net /
Dy ish-drejtorë komunalë të Suharekës dhe dy inspektorë akuzohen se ia mundësuan biznesmenit Muharrem Elshani ndërtimin e një objekti banesor në kundërshtim me planin urbanistik detal dhe në hapësirën e fushës së futbollit të klubit “Ballkani”.
Katër zyrtarë të Komunës së Suharekës, në mesin e të cilëve edhe ish-drejtori i Urbanizmit, Kurtesh Fondaj, dhe ish-drejtori i Inspektoratit, Raif Fetiu, po akuzohen nga Prokuroria se i mundësuan kompanisë së Muharrem Elshanit ndërtimin e një objekti banesor në hapësirat e fushës së futbollit të klubit “Ballkani”.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit i lejuan biznesmenit Muharrem Elshani ndërtimin e objektit në kundërshtim me planin urbanistik të qytetit.
Gjithashtu, aktakuza e ngarkon pronarin e kompanisë “Unicom” se ka zhvendosur një pjesë të fushës, duke shfrytëzuar për nevoja të kompanisë së tij 16 ari të kësaj fushe.
Elshani akuzohet edhe se gjatë ndërtimit të objektit afarist banesor ka përvetësuar sipërfaqen prej 50 metrash katrorë me pronësi shoqërore, me ç’rast Komunës i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Për mosveprimin e tyre në pengimin e ndërtimit të këtij objekti pjesë e akuzës janë edhe inspektorët e ndërtimit, Hafir Maliqaj dhe Berat Kabashi.
Dy ish-drejtorët komunalë dhe dy inspektorët akuzohen se prej muajit korrik 2013 deri në muajin prill 2015 me qëllim ia mundësuan Muharrem Elshanit zhvendosjen e një pjese të fushës së ekipit “Ballkani” në sipërfaqe prej 16 ari dhe hyrjen në pronë shoqërore prej 50 metrash gjatë ndërtimit të një objekti afarist-banesor.
Pesë të akuzuarit kanë mohuar fajësinë duke pretenduar se çdo gjë rreth ndërtimit të ndërtesës shumëkatëshe në hapësirat e fushës së futbollit ishte në rregull.
“Propozoj që nga Gjykata me qëllim të administrimit si provë materiale të kërkohet nga Komuna e Suharekës rregullorja e cila përcakton punët dhe detyrat e punës sa i përket referentit apo referentëve të cilët pranë Drejtorisë së Urbanizimit në Suharekë bëjnë shqyrtimin e kërkesave sa i përket dhënies së aktvendimit për pëlqimin e kushteve urbanistike dhe lejet ndërtimore”, tha avokati i të pandehurit Kurtesh Fondaj.
Në këtë shqyrtim, përfaqësuesi i palës së dëmtuar – Komunës së Suharekës, Selajdin Gallopeni, propozoi që në seancë të thirret gjeodeti që kishte bërë skicën e terrenit të ngastrës kontestuese për ta sqaruar këtë matje, pasi sipas tij është e pakuptueshme dhe është në kundërshtimin me matjet gjeodezike që i kanë kryer gjeodetët e Komunës. Por, ky propozim u refuzua nga trupi gjykues.
Po ashtu, trupi gjykues mori vendim që të kërkohet zyrtarisht nga klubi i futbollit “Ballkani” informacion nëse gjatë periudhës për të cilën po akuzohet Muharrem Elshani ka qenë apo jo drejtor i këtij klubi.
Me këtë seancë ka përfunduar procedura e provave ndërsa në seancat e radhës që do të mbahen këtë muaj ndërsa në dhjetor pritet të jepet fjala mbrojtëse./Kallxo.com